Kërkohet tërheqja e tij dhe e Bashës, Berisha: Përpjekje për të stisur përballje mes votës së lirë dhe blofit

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është pyetur sot nga gazetarët mbi qëndrimin e tij për kërkesat e fundit nga deputetët e Partisë Demokratike për tërheqjen e tij dhe të Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së.

I gjendur gjatë një vizite në Elbasan me rastin e “Ditës së Verës”, Berisha e ka quajtur kërkesën si “një përpjekje për të stisur një përballje mes votës së lirë dhe blofit”.

“Kjo do jetë pranverë e përpjekjeve të mëdha të demokracisë për ngadhënjimin e saj. Mesazhi më i mirë është bashkimi i demokratëve dhe idealeve të tyre të lirisë”, tha Berisha nga Elbasani.

“Nuk po mbroj asgjë tjetër përveç votës së lirë. E vërteta është që ka një përpjekje për të stisur një përballje mes votës së lirë dhe blofit, por atyre që e bëjnë këtë do t’u lëmë blofin në dorë”, shtoi Berisha, raporton A2 CNN.