Kërcënimet qyqare të Kadri Veselit ndaj Albin Kurtit në kuvend, dëshmojnë për kapitullimin e turpshëm të klanit “Pronto” para popullit dhe historisë..!?

Rexhep Elezaj

Akuzat, shpifjet, trillimet, fjalori qyqarë, fyerjet, ofendimet dhe kërcënimi i hapur i Kadri Veselit, të kryetarit aktual të PDK-së, ish shefit të SHIK-ut si dhe ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës në dy mandate, të drejtuara pa fije kulture ndaj kryetarit të LVV-je dhe kandidatit për kryeministër të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurtit, të thëna me nervozizëm dhe arrogancë në seancën e sotme konstituive të qeverisë së re të Kosovës, nuk ka dyshim, se paraqesin fundin e turpshëm, primitivizmin, demagogjinë, arrogancën, frikën nga ndëshkimi i popullit dhe i historisë, dështimin me damkë të logjikës gllabëruese dhe uzurpuese të klanit “Pronto”..!?

Nëse i tubojmë dhe hudhim në një Kazan të zi, të thellë sa liqeni i Badovcit gjitha akuzat si dhe mijëra deklaratat e dëgjuara dhe të shkruara në media dhe rrjetet sociale kundër PDK-së dhe SHIK-ut, qenë ato të vërteta, apo nuk qenë, del sheshit fakti tjetër, se Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi ishin dhe akoma janë dy njerëzit më të dyshuar dhe më të përfolur në Kosovë, qoftë si autorë, qoftë si inspirues të shumë krimeve në Kosovë, akuza të cilat asnjëherë nuk i kanë demantuar dhe as refuzuar, duke heshtur si peshku n’ujë ndaj atyre, thua se ato i drejtoheshin alienëve në planetin Mars, e jo dy njerëzve të cilët erdhën në pushtet përmes shpifjeve dhe akuzave krejtësisht të pabazë kundër LDK-së dhe presidentit Ibrahim Rugova!

Prandaj, fjalimi, alias gjyqi i sotëm që Albin Kurtit dhe LVV-je ia bëri Kadri Veseli, ishte dhe mbetet dëshmia më e fortë, se sulmi është mbrojtja më e mirë, që në fakt ishte hakmarrje primitive si dhe linçim para politik kundër kryeministrit të ri të Kosovës, z. Albin Kurtit, i cili me votën e sovranit me 06 tetor 2019, si njeriu më i votuar në Kosovë e mori verdiktin e popullit shumicë për ta qeverisur Kosovën e shkatërruar dhe të lënë shkretë, pikërisht nga klani “Pronto” dhe udhëheqësit e tij të akuzuar publikisht për vjedhje, uzurpime dhe plaçkitje të pronave private dhe shoqërore, për korrupsion, madje edhe për vepra të rënda kriminale, e çka jo tjetër!

Mjafton t’ia bësh një vështrim pak më kritik mjeteve të informimit vetëm gjatë një jave për të pa se mbi 60% e titujve të tyre iu kushtohen hajnive dhe veprave korruptive të dy qeverive të krahut të luftës, fakt i cili duhet trajtuar nga ana e gjykatave përkatëse, për ta informuar popullin, ishin apo nuk ishin ato akuza të vërteta apo të shpifura të drejtuara 20 vite rresht kundër PDK-së, alias Hashim Thaçit, kundër SHIK-ut, alias Kadri Veselit..!?

Nga diskutimi i K. Veselit, Fatmir Limajt dhe ndonjë shakaxhiu tjetër sikur ai mullinxhiu i AAK-së, Shkumbin Demalijaj, rezulton qartë, se tentim-shkarkimi nga pesha e rënd e akuzave dhe e mëkateve, qoftë të bëra apo të pabëra, mu para deputetëve të popullit, ishte mallkimi më i rënd i popullit që i ka përcjellë hiç më pak se 20 vite!?

Dhe, po t’i bëjmë po ashtu një analizë të mirëfilltë psikologjike “homo-sapiensit”, sjelljeve dhe veprimeve të tyre në praktikën e përditshme dhe mendësisë politike të cilën e kanë zbatuar dhe përdorur gjatë kohës së luftës dhe deri më sot në luftën e tyre për pushtet, pa asnjë dyshim, se analiza do tregojë se ato sjellje, veprime si dhe mendësia politike e veprimi në shoqëri, çdo gjë mund të ishte, por kurrsesi jo shqiptare dhe kombëtare..!?

T’ia hudhësh fajin si dhe atë mori akuzash Albin Kurtit, të cilat t’u kanë bërë ty me vite përpara, z. Kadri Veseli, një politikani të ri dhe shumë atdhetar, një figure më të pastër moralisht dhe kombëtarisht sot në Kosovë, siç është Albin Kurti, të orvatesh që historinë dhe shtetin e Kosovës ta përmbysësh mbrapshtë, duke provuar që ta pastrosh vetveten, dhe jo vetëm, nga akuzat e popullit dhe mallkimi i tij në mënyrën e vrazhdë që e përdori sot K. Veseli në Kuvendin e Kosovës, thënë më së buti, është një mashtrim ordinerë, një abuzim me lirinë e Kosovës, si dhe krim politik i llojit më banal që ka dëgjuar dhe përjetuar ndonjëherë skena politike në Kosovë..!?