Katër Shkolla të mesme dhe 169 fillore kanë marrë dritën jeshile për nisjen e mësimit me prezencë fizike

Vetëm katër shkolla të mesme kanë marrë dritë jeshile për të nisur mësimin me prezencë fizike nga 1 Tetori. Nga 66 kërkesa, Komisioni i posaçëm vendosi që dy shkolla për fëmijët me nevoja të posaçme, një private dhe një Komunale i plotësojnë kushtet në proporcion me hapësirën dhe numrin e nxënësve.

“Komisioni vendosi edhe për kërkesat e Shkollave Fillore që kanë aplikuar në dy javët e shtatorit. Dritë jeshile për mësim me prani fizike nga klasa 4-9 morën 169 Shkolla, prej tyre 1 private, 6 për fëmijët me nevoja të veçanta, 15 shkolla qendrore dhe 147 periferike. 32 nuk plotësuan kushtet”.

Komisioni i posaçëm qeveritar ka pranuar afër 500 aplikimet të shkollave të mesme dhe fillore. Por, lista e gjatë me 43 komuna mbajnë të bllokuar procesin ngaqë Këshillat Komunal që nuk kanë dorëzuar vendimin e tyre të ky komision. Dje Ministrja e Arsimit Carovska theksoi se për shkollat tjera që aplikuan do të vendoset deri të premten.

Ndërkaq, edhe konviktet studentore do të hapen me kapacitete të përgjysmuara sipas protokolleve shëndetësore. Në çdo dhomë në vend të dy personave do të akomodohet nga një dhe në ato me katër shtretër do ketë vetëm dy nxënës. Për nxënësit e tjerë që mësojnë larg shtëpisë, qeveria propozoi zgjidhje, për të cilët patjetër duhen të bëhen ndryshime ligjore.

“Qeveria do të dorëzoj në Kuvend dy Propozim-ndryshimet për Ligjet për standardet studentore dhe të nxënësve, ku urdhërohet që në kushte të rrethanave të jashtëzakonshme krize, pandemie, etj, studentëve dhe nxënësve të cilët kanë fituar të drejtën e akomodimit por nuk kanë hapësira në konvikt do tu paguhet qiraja mujore në objekte private apo edhe biletat e autobusit për udhëtim”, thonë nga Qeveria e RMV-së.

Nga Ministria e Arsimit thonë se çmimi do të përcaktohet pastaj nga ekzekutivi. Sipas përllogaritjeve të tyre, të drejtën për pagesë të qirasë private dhe biletave të udhëtimit do ta shfrytëzojnë 347 nxënës dhe 884 studentë të cilën nisin studimet me prezencë fizike në fakultetet teknike dhe medicinale.