Katër ish të dënuar në rastin Sopoti kërkojnë 48 milion denar dëmshpërblim (Video)

Seanca gjyqësore për katër ish të dënuarit në arrati për rastin Sopoti, është anuluar, shkruan gazeta LAJM. Paditësit në këtë proces janë Selman Jahiji, Bashkim Ukshini, Afrim Ukshini dhe Musa Klaiqi. Vlera e dëmshpërblimit që ata kërkojnë është 48 milion denarë. Kërkesa për dëmshpërblim erdhi pasi që më 19 mars të 2018-s, me vendim të Gjykatës, banorët e Sopotit u shpallën të pafajshëm dhe u liruan nga burgu.

Vullnet Paçuku, avokat: Sot pranë Gjykatës Civile u mbajt seanca e radhës për katër personat të cilët kanë qenë të akuzuar në rastin e Sopotit dhe me kërkesë të të dyja palëve, palës tonë dhe Avokaturës së Shtetit, kërkuam që seanca e sotme të anulohet për një datë tjetër. Seanca e radhës do të mbahet më 3 mars. Kjo kërkesë për anulim u bë me qëllim që të provohet mundësia për lidhjen e një marrëveshjeje gjyqësore për dëmin e shkaktuar ndaj këtyre katër paditësve.

LAJM: Cila është kërkesa e tyre?

Vullnet Paçuku, avokat: Kërkesa është e bazuar në Ligjin për Procedurë Penale. Ligji parashikon për personat që kanë qenë të akuzuar dhe të shpallur me vendim të plotëfuqishëm gjyqësor për vepër penale, i cili vendim me përdorimin e mjeteve të jashtëzakonshme juridike është shfuqizuar. Këtu sipas Ligjit paditësve ju takon e drejta përdëmshpërblim për shkak se me atë procedurë dhe me atë vendim të plotëfuqishëm me të cilën janë shpallur fajtor për një vepër nga më të rëndat të Kodit Penale, për veprën terrorizëm, kjo shpallje e tyre si fajtor ju ka shkaktuar një dëm të lartë, jo material. Kërkesa jonë është për katër paditësit që shteti të paguaj dëmshpërblim 48 milion denar. Lartësinë e dëmit e përcakton gjykata ose sa do të arrijmë të bëjmë marrëveshje me Avokatin e Shtetit.

LAJM: Sa do të zgjasë ky proces?

Vullnet Paçuku, avokat: Mendoj që jemi në përfudim të procesit. Nësë në një afat të shkurtër kohor prej rreth një muajve nuk kemi marrëveshje, atëherë në seancën e radhës do të jetë seanca e fundit dhe gjykata do të duhet të sjellë vendim për lartësinë e dëmit./Gazeta LAJM