Gashi: Kurban Bajrami na kujton vlerat e humanizmit dhe bashkimit shoqëror

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u ka drejtuar një mesazh urimi qytetarëve të besimit islam me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke theksuar vlerat e sakrificës, humanizmit dhe afërsisë mes njerëzve.

Në urimin e tij, Gashi vlerësoi se kjo festë e shenjtë përfaqëson një moment të rëndësishëm për forcimin e solidaritetit, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë në shoqëri. Ai theksoi se Kurban Bajrami rikujton rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin dhe ndarjes së mirësisë me familjen, fqinjët dhe të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ngrohtësi njerëzore.

Sipas tij, festa shërben gjithashtu si thirrje për më shumë unitet, paqe dhe harmoni, duke forcuar bindjen se vetëm përmes bashkëpunimit mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë për të gjithë qytetarët.

Në fund të mesazhit, në emër të Kuvendit dhe në emrin e tij personal, Gashi uroi që festa të sjellë begati, shëndet, qetësi shpirtërore dhe lumturi në familjet e qytetarëve myslimanë, duke përfunduar me urimin: “Urime Kurban Bajramin!”.