Katër anije të mëdha luftarake ruse nisen nga Japonia për në Ukrainë

Katër anije të mëdha luftarake ruse janë parë duke lundruar pranë ishujve japonezë Honshu dhe Hokkaido ndërsa udhëtonin në perëndim, ndoshta drejt Evropës, raporton Reuters, transmeton “Bota sot”.

Në fotot e publikuara nga ministria e mbrojtjes e Japonisë dukej se disa kamionë ushtarakë ishin vendosur në kuvertën e një prej anijeve që kalonin.

I pyetur nëse ata mund të nisen për në Ukrainë, një zëdhënës i ministrit japonez të mbrojtjes i tha Reuters, “është e mundur”.

Sipas analistëve ushtarakë, i ashtuquajturi “operacion ushtarak” i Rusisë nuk ka ecur aq mirë sa ishte planifikuar deri më tani, me pajisjet ushtarake që ka të ngjarë të jenë varfëruar në një masë më të madhe se sa ishte parashikuar.