Katastrofat natyrore shkaktuan 250 miliardë dollarë dëme

Katastrofat natyrore dhe ngjarjet e ndërlidhura me motin ekstrem shkaktuan 250 miliardë dollarë humbje brenda këtij viti.

Kjo shifër paraqet rritje prej 24 për qind krahasuar me vitin e shkuar, njoftoi kompania më e madhe në botë e sigurimeve, Swiss Re.

Për industrinë e sigurimeve vetëm, “ngjarjet e ndërlidhura me motin e ekstrem, përfshirë ngricat, vërshimet, stuhitë, valët e nxehtësisë dhe uraganet”, rezultuan me humbje vjetore në sigurime nga katastrofat natyrore deri në 105 miliardë dollarë. Kjo vlerë është e katërta më e lartë që nga viti 1970”, pohon Swiss Re.

Një pamje nga ajri tregon një zonë të shkatërruar nga përmbytjet pas reshjeve të mëdha të shiut pranë Kastamonu, më 11 gusht 2021.

Humbjet në sigurime nga katastrofat natyrore këtë vit “sërish tejkaluan mesataren e 10 vjetëve të shkuara, duke e vazhduar trendin vjetor të rritjes prej 5-6 për qind në dekadat e fundit”, njoftoi gjiganti i sigurimeve.

Katastrofat natyrore më të shtrenjtat për këtë vit ishin në SHBA.

Uragani, Ida, shkaktoi humbjen mes 30-32 miliardë dollarëve në sigurime dhe stuhia, Uri, shkaktoi 15 miliardë dollarë humbje.

Në Evropë ishin vërshimet në Gjermani e Belgjikë dhe shtetet e tyre fqinje, përgjatë muajit korrik, të cilat shkaktuan humbje prej 40 miliardë dollarëve në ekonomi dhe 13 miliardë dollarëve në sigurime.

Përpos katastrofave natyrore, katastrofat e shkaktuara nga faktori njeri, sollën 9 miliardë humbje në ekonomi këtë vit.