Kastriot Rexhepi: Kush e kidnapoi Ziadin Selën që hyri në Qeveri me BDI-në⁉

Deputeti i Lëvizjes Demokratike, Kastriot Rexhepi, i është përgjigjur ish kreut të ASH-së, Ziadin Sela, i cili ditë më parë hodhi dyshime se Rexhepi mund të ishte kidnapuar, dy vite më parë, para votimit të mocionit të Qeverisë, nga kryetari aktual i partisë së tij.

Rexhepi në një prononcim për gazetën LAJM, e quajti joserioze deklaratën e Selës të cilin e ka pyetur, mos vallë është kidnapuar nga dikush që hyri në Qeveri bashkë me BDI-në.

“Më vjen çudi që edhe pas 2 vjet e gjysëm shof që ende i djeg z.Sela që nuk mundi të formoj një shumicë bashkë me “Levicën”, duke e ditur se çfarë rreziku do të kishte ajo shumicë dhe a do mund të flisnim sot për integrimin në BE dhe të jemi afër tentativës për të bërë ndryshimet kushtetuese. Unë e bëra një veprim që më takon dhe kam të drejtë në bazë të Kushtetutës si deputet me bindje time për të vazhduar procesin integrues. Por, nëse shkojmë me këtë logjikë që dikush duhet të kidnapohet për integrime evropiane atëherë e pyes z.Selën a mos vallë edhe atë e ka kidnapuar dikush që hyri në Qeveri bashkë me BDI-në, për të cilën e kishte gojën plot duke sulmuar për korrupsion dhe një parti me të cilën nuk mund të bën partneritet. Kështuqë, le të përgjigjet ai a e ka kidnapuar atë dikush që u fut në Qeveri që ti përgjigjem edhe unë me më shumë detaje”, tha Rexhepi për gazetën LAJM.

Muajin e kaluar, Sela u citua nga televizioni 21 të kishte deklaruar se Izet Mexhiti, tani lideri i partisë Lëvizja Demokratike e kidnapoi deputetin Kastriot Rexhepin pak para votimit të mocionit të Qeverisë, dhe tani e bëri pjesë të partisë së tij.

“E kidnapoi apo e mori në shtëpi deputetin Rexhepi dhe kjo është koha kur duhej të kishte 61 deputetë opozita. Kjo çështje tani nuk më takon mua, pasi është çështje që i takon BDI-së dhe ASh nuk është përzier në këtë çështje sepse është çështje e brendshme partiake”, tha Sela.