Karakaçanov: 120 000 qytetarë të RMV-së në listën e votuesve, mes tyre edhe politikanë

Lideri i partisë bullgare, VMRO dhe njëherit zv/kryeministër, Krasimir Karakaçanov pretendon se 120 000 qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) me pasaporta bullgare ndodhen në listën e votuesve, në mesin e të cilëve edhe politikanë. Karakaçanov listoi: Aleksandar Nikollovskin, Antonio Milloshovskin, Nikolla Micevskin, Stefan Andonovskin, Marija Andonovskan, Lupço Dimovskin, Bojan Stojanovskin dhe të tjerë. Në profilin e tij në Facebook, Karakaçanov i ftoi të gjithë të votojnë numrin 1, sipas tij, VMRO-në e vërtetë. Madje ironizoi duke iu kujtuar se kanë të drejtë për shërbim shëndetësor e veçanërisht vaksinim falas në Bullgari.

Kuptohet se koincidenca mes emrave dhe individëve që mbajnë poste udhëheqëse politike në Maqedoni mund të jetë e rastësishme. Por nuk është rastësi. E di se për disa prej tyre është e vështirë të zbulojnë se janë bullgarë, por disa që i njoh personalisht po e mbajnë sekret të jetuarit për Nënën Bullgari dhe po ëndërrojnë për atë që kishte thënë lideri i VMDO-së, Todor Aleksandrov “riunifikimin e gjithë fisit bullgar – tha Krasimir Karakaçanov, Ministër i Mbrojtjes.

Deputetët e VMRO DPMNE-së kanë vetëm pasaportë maqedonase, votojnë vetëm në Maqedoni dhe kjo iu jep kënaqësi, kështu u kundërpërgjigj deputeti, Antonio Milloshovski.

Deputetët e VMRO DPMNE-së janë qytetarë të Maqedonisë dhe vetëm të Republikës së Maqedonisë, por kur ka skandal për firma fantome, vaksina fantome, ka edhe lista për fantom pasaporta. Kjo është një përpjekje e dobët të defokusohet vëmendja nga afera korruptive për prokurim të vaksinave përmes firmës fantome – u shpreh Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE.

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në Bullgari, retorika e shumë politikanëve të atjeshëm ashpërsohet ndaj Maqedonisë së Veriut, në kontekst të dallimeve historike. Së fundmi, Karakaçanov nxiti reagime të shumta edhe kur uroi Festën e 8 Marsit përmes një fotografie të ilustruar me hartën e Bullgarisë së Shën Stefanit, e cila përfshinte gjithë territorin e Maqedoninë e Veriut si dhe pjesë të Serbisë dhe Shqipërisë./ALSAT