Kapitullimi i Serbisë, statusi i Kosovës dhe përfshirja e Rusisë

Sukses për Rusinë dhe Serbinë ishte futja në lojë e faktorit OKB, që siç do të shihet më vonë do të bëhet pengesë kryesore për definimin e statusit të Kosovës. Serbia do të orvatej që përmes Rusisë dhe Kinës të arrinte koncesione dhe t´i bënte më pas obstruksione implementimit të marrëveshjes pasi që e kishte pranuar. Dhe sikur të mos ishte qëndrimi i vendosur i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, në proces dhe t’i bëheshin koncesione të tjera Beogradit dhe Rusisë
Shpërfillja e palës shqiptare

Faktori politik dhe ushtarak shqiptar edhe pas formimit të Qeverisë së Përkohshme të Luftës vazhdonte të mos ishte unik dhe kjo bëri që komuniteti ndërkombëtar të mos e përfillte palën shqiptare me rastin e hartimit të parimeve bazë të Petersbergut. Prandaj, pavarësisht se në Perëndim dhe Gjermani, ujdia e ministrave të Jashtëm të shtatë vendeve të industrializuara dhe Rusisë do të cilësohej si një përparim në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje politike për problemin e Kosovës, shqiptarët nuk kishin fort arsye të ishin të gëzuar, sidomos kur merret parasysh fakti i paqartësisë së statusit.

Një sukses tjetër për Rusinë dhe Serbinë ishte futja në lojë e faktorit OKB, që siç do të shihet më vonë do të bëhet pengesë kryesore për definimin e statusit të Kosovës. Serbia do të orvatej që përmes Rusisë dhe Kinës të arrinte koncesione dhe t´i bënte më pas obstruksione implementimit të marrëveshjes pasi që e kishte pranuar. Dhe sikur të mos ishte qëndrimi i vendosur i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, në proces dhe t’i bëheshin koncesione të tjera Beogradit dhe Rusisë. Ky angazhim amerikan në qarqe të caktuara dhe në disa media gjermane do të komentohej si xhelozi e Washingtonit për shkak se paqja po bëhej nga evropianët.

Në këtë periudhë, Çernomërdini, i cili përpiqej të zbuste kushtet që i parashtroheshin Millosheviqit, provoi të krijonte përçarje në mesin e evropianëve. Ai duket kishte vënë re se britanikët dhe francezët, të cilët në Konferencën e Rambouillet kishin rolin prijës, gjithnjë e më shumë po bëheshin xheloz ndaj rolit të gjermanëve në procesin paqësor, refuzoi ftesat për të shkuar në Londër dhe Paris. Emisari rus do të preferonte më tepër kancelarin Schröder dhe ministrin e Jashtëm Fischer, të cilët në çdo kohë do të jenë në dispozicion si partnerë bisedimesh dhe atij ia bëjnë të qartë se “për një zgjidhje” do të shkonin “deri në fund të botës”. Pushtimi i hapësirës diplomatike nga Çernomërdini ishte rezultat i qëndrimit të luhatshëm të diplomacisë evropiane, veçanërisht refleks i diplomacisë gjermane, e cila me çdo kusht dëshiroi ta fuste në “bord” edhe Rusinë me tendencën që të amortizohej kursi i pakompromis i SHBA-së dhe i Britanisë së Madhe.

Hapi për fundin e vrasjeve të shqiptarëve

Në anën tjetër ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, duke raportuar për rezultatin e takimit të Petersbergut, theksonte se me aprovimin e planit të tij është bërë një hap i rëndësishëm përpara, për dhënien fund të dëbimit dhe vrasjes së shqiptarëve të Kosovës. Menjëherë pas takimit të G-8 në Petersberg, Ahtisaari dhe Çernomërdini filluan që të zhvillojnë biseda me Beogradin, gjithnjë mbi bazën e katalogut të kërkesave.

Takimi i treshes, me ftesën e Qeverisës gjermane, tek e cila tendosja ishte më e madhe, pasi ajo njëkohësisht kishte presidencën e radhës të BE-së, u zhvillua më 1 e 2 qershor 1999 në Petersberg. Arriti pajtimin për të gjitha çështjet, pos për çështjen e pranisë së ardhshme ruse në Kosovë, që kërkonin sektor në vete. Dokumenti i hartuar përmbante 10 pika dhe disa interpretime, të cilat gati ishin identike me konkluzionet e G-8 dhe parimet bazë të “Planit Fischer”. Dallonte në pikën 6, në të cilën specifikohej se pas tërheqjes mund të lejohet kthimi i një numri të caktuar të personelit ushtarak dhe policor nga Jugosllavia e mbetur për kryerjen e punëve në mbajtjen e lidhjeve, shënimin dhe spastrimin e fushave me mina, ruajtjen e përmendoreve dhe kontrollimin e vendkalimeve të rëndësishme ushtarake.

Po kështu ky dokument qartësonte se me miratimin e këtyre principeve dhe me hartimin e orarit të shpejtë e të saktë të tërheqjes dhe të verifikimit të fillimit të tërheqjes, do të ndërpriteshin të gjitha veprimet e armatosura, si dhe hartimin urgjent të marrëveshjes ushtarako-teknike, që do të rregullonte këto çështje.

Diplomacia shtrënguese dhe anashkalimi i SHBA-së

Kjo marrëveshje kishte të bënte me bashkësinë ndërkombëtare dhe Jugosllavinë e mbetur, mirëpo Beogradi nuk do të kishte të drejtën e votës rreth çështjes së përbërjes së forcave ndërkombëtare, të komandës dhe të sistemit të tyre. Ndërkaq, faktori shqiptar i Kosovës, as që ishte përfillur para dhe gjatë hartimit të këtij dokumenti, pasi qendrat ndërkombëtare të vendosjes ishin të kujdesshme nga veprimet që mund të interpretoheshin si njohje e subjektivitetit të Kosovës. Ndoshta, ky veprim i diplomacisë ndërkombëtare, respektivisht asaj evropiane, që në këtë periudhë tonin ia jepte Presidenca gjermane, mbase justifikohej me faktin se delegacioni i Kosovës e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Rambouillet. Por, për dallim nga kjo marrëveshje, dokumenti i lartpërmendur që do t’i dorëzohej Millosheviqit nuk specifikonte kohën e fillimit të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Megjithatë, Millosheviqi tentoi të ndryshonte edhe këtë përmbajtje të këtij dokumenti, të cilin Ahtisaari së bashku me Çernomërdinin ia dorëzuan më 2 qershor 1999 në Beograd, gjatë misionit të tyre për bërjen e paqes në Kosovë, me ç´rast ai bëri të qartë se nuk është i autorizuar për të negociuar përmbajtjen e tekstit të Petersbergut. Milosheviqi, pasi dëshironte të dinte se a kishin Ahtisaari dhe Çernomërdini autorizime për të zhvilluar negociata, shtroi pyetjen ”a mund të ndryshohet diçka në këtë propozim”. Por, pas përgjigjes së Ahtisaarit se kjo është oferta më e mirë të cilën mund të merrte, një ditë më pas Millosheviqi kumtoi se Beogradi, Qeveria federale dhe Kuvendi, e pranojnë ofertën e ofruar, kur kuptuan se nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër dhe se ekzistonte rreziku i invadimit tokësor të NATO-s. Diplomacia shtrënguese kishte dhënë rezultatet e saj.

Në të njëjtën ditë në Köln po zhvillohej takimi i Këshillit të BE-së, të cilit më pas iu bashkua edhe Ahtisari, të cilin Presidenca gjermane ishte kujdesur që ta mbante larg amerikanëve dhe që lajmin për tërheqjen e Milosheviqit ta jepte Evropa, respektivisht që bërja e paqes të interpretoj si meritë e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Por, në vend të euforisë evropiane dhe përmbajtjes amerikane, Ahtisaari, tërhoqi vërejtjen për kujdes dhe përmbajtje, duke theksuar se ende ishte një shteg i vështirë para implementimit të plotë të marrëveshjes, aq më tepër që Millosheviqi ishte i njohur për shkeljen e marrëveshjeve.

Anashkalimi i kontributit amerikan duket qartë edhe në konferencën për shtyp të kancelarit Schröder, të cilën ai e mbante në emër të BE-së dhe në të cilën Ahtisaari u prezantua ekskluzivisht si përfaqësues i BE-së, ku mes të tjerash tha: “Kjo është një ditë e mirë për Evropën; një ditë e mirë për Evropën dhe aty e përfshij edhe popullin jugosllav. Kjo është një ditë e madhe edhe për presidentin Marti Ahtisaari, sepse durimi, diplomacia dhe principialiteti i tij e mundësuan këtë rezultat.” Të njëjtën gjë e përsërit ish-kancelari gjerman Schröder edhe në librin e memoareve të tij “Entscheidungen. Mein Leben in der Politik”, kurse suksesi i Ahtisarit e eklipsoi edhe samitin evropian të Kölnit me mesazhin “Lufta ka marrë fund”.

Treshja kishte kryer punën e saj, tani barra i kalonte sërish diplomatëve dhe ushtarakëve, të cilët duhej të arrinin pajtimin për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit dhe ushtarakët duhej të arrinin pajtimin me palën serbe për modalitetet e tërheqjes të trupave të tyre ushtarake dhe policore. Kështu më 7 qershor 1999, në Petersberg filloi takimi vendimtar i ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të grupit G-8 për hartimin e rezolutës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërkohë në Kumanovë vazhdonin bisedimet ushtarake midis përfaqësuesve të NATO-s dhe oficerëve të Jugosllavisë së mbetur, të cilat kishin nisur më 5 qershor 1999 në kalimin kufitar Kosovë-Maqedoni, në Bllacë, për ta nënshkruar marrëveshjen e tërheqjes të forcave ushtarake dhe policore nga Kosova.

Kapitullimi i Serbisë

Kur G-8 kreu punën e vet, përpiloi draft-rezolutën e Këshillit të Sigurimit, më në fund pas shumë prolongimeve dhe obstruksioneve të palës serbe dhe ruse, më 9 qershor 1999 u nënshkrua Marrëveshja Ushtarako-Teknike në Kumanovë, në vendin ku Serbia gjatë Luftës së Parë Ballkanike në tetor 1912 kishte mundur ushtrinë osmane dhe në këtë mënyrë kishte realizuar ekspansionin e saj më të madh territorial, duke aneksuar territorin shqiptar të Vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit. Nënshkrues ishin gjenerallejtënant Michael Jackson në emër të NATO-s dhe Svetozar Marjanoviq nga Armata jugosllave dhe Obrad Stefanoviq i Ministrisë së Brendshme të Serbisë në emër të qeverive të Jugosllavisë së mbetur dhe Serbisë. Ky ishte në fakt kapitullimi i Serbisë dhe fundi i administrimit represiv të Kosovës, e cila ishte pushtuar në periudhën e luftërave ballkanike 1912/13.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, e cila mbështetej në ofertën paqësore të pranuar nga Milosheviqi, do të mblidhej menjëherë Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe më 10 qershor miratoi Rezolutën 1244, më 14 vota pro, një abstenim (Kina) dhe asnjë kundër. Në të njëjtën ditë, në Köln po mbahej konferenca inauguruese për Paktin e Stabilitetit për Ballkanin. Me përfundimin e sulmeve 78-ditore të NATO mori fund edhe lufta shqiptaro-serbe, ndërsa Kosova në harmoni me Rezolutën 1244 u vendos nën administrimin civil, UNMIK, dhe ushtarak, KFOR, ndërkombëtar. Duke vepruar sipas Kapitullit VII të Kartës së OKB-së, Këshilli i Sigurimit vendosi që zgjidhja politike e krizës do të bazohej mbi parimet e përgjithshme të miratuara më 6 maj 1999 nga ministrat e Jashtëm të G-8 dhe parimeve që përmbante dokumenti i prezantuar në Beograd nga emisari i BE-së, presidenti Marti Ahtisaari, që ishin pranuar nga Qeveria e Jugosllavisë së mbetur më 3 qershor 1999. Këto dy dokumente pastaj u përfshinë si aneks i Rezolutës 1244. Por, çështja e statusit të Kosovës, e cila ishte thelbi i problemit, mbetej e hapur. Në njërën anë, Kosova de jure mbetej pjesë e Jugosllavisë, në anën tjetër, vendosja e saj nën administrimit ndërkombëtar e kufizonte në masë të madhe sovranitetin e Jugosllavisë. Nisur nga kjo gjendje, de facto prej këtij momenti Kosova u pavarësua nga Beogradi dhe deri në përcaktimin e statusit përfundimtar OKB-ja do të ushtronte pushtetin dhe do të menaxhonte ndërtimin e institucioneve vetëqeverisëse.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë