Kapet marihuanë në vlerë prej 300 mijë euro, arrestohen 3 gostivaras dhe një dibran!

Gjatë ditë së djeshme, më datë 14.12.2021, policët e rajonit të Gostivarit kanë shkatërruar grupin ndërkombëtar kriminal, me çka është shkatërruar dhe transporti ndërkombëtar me tregti të paligjshme me drogë ku janë konfiskuar rreth 100 kilogram marihuanë në vlerë prej 300.000 eurosh.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë ditës së sotme, 15.12.2021, deri te Prokuroria Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionet është parashtruar kallëzim penal kundër katër personave dhe atë: E.M., H.F., E.I. e B.P., prej të cilëve, tre janë nga Gostivari e një nga Dibra dhe të moshës prej 30 deri në 47 vjeç.

Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale “prodhim dhe lëshim në shitje në mënyrë ilegale të lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorëve”.

“Me qëllim që të arrijnë pasuri të paligjshme, të denoncuarit kanë blerë marihuanë, të cilën e kanë vendosur në objekt në Gostivar, kurse më datë 14.12.2021, nga ajo, me marrëveshje paraprake e kanë shitur te njëri nga të denoncuarit, i cili me automjet për shumë të caktuar parash duhej ta transportonin në Bullgari”, njoftoi zëdhënësja e MPB-së, Suzana Pranjiq Talevska, transmeton TV21.

Më datë 14.12.2021 rreth orës 17.15, policët gjatë kontrollit në pikpagesën rrugore në Gllumovë, gjatë kontrollit të automjetit “man” me rimorkio, me targa të Dibrës, janë gjetur 19 qese, në të cilat janë vendosur 189 pako me marihuanë.