Kapërcimi i detit

Recension nga Fitim A. Nuhiu

Autore: Neviana Shehi,
Libri: DETI I NATËS (poezi),
botoi Sh.B. “Konica”, Shkup, 2021

Neviana Shehi është një ndër poetet më produktive viteve të fundit. Çdo poezi e saj e botuar jo vetëm nëpër rrjetet sociale, por edhe nëpër gazetat e revistat e shumta, zgjon kurreshtjen e lexuesve, të cilët me komentet e tyre na bëjnë me dije se vërtet kemi të bëjmë me një personalitet tashmë të profiluar në botën artistike shqiptare.
“Deti i natës” është një vepër mjaft interesante, një vepër midis poezisë haiku dhe poezisë standarde, por e mbështjellë me shumë elemente filozofike, që herë- herë, thjesht të lënë pa frymë. Deti si lajtmotiv i këtij libri është në funksionin e metaforës, është në funksion të dhimbjes, sepse edhe vetë autorja e ka kapërcyer, por gjithnjë kokën e ka mbajtur prapa, duke e shikuar bregun e vendlindjes, që në fakt do të shndërrohet në bregun e dhimbjes.
“Deti i natës” ofron një lexim shpirtëror, një lexim që lë mbresa të thella, sepse pikërisht heshtja e detit të natës në fakt është zëri që kumbon dhe që dëgjohet thellë në subkoshiencën tonë. Edhe më kumbues bëhen vargjet e Nevianes që i këndojnë edhe detit të saj që s’shter asnjëherë në kujtimet plot dhimbje e dashuri.

10.08.2021