Kapaciteti i instaluar i prodhimit të energjisë jofosile në Kinë i tejkaloi 2 miliardë kilovat për herë të parë në fund të shkurtit, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Këshilli kinez i Energjisë Elektrike, citon “Xinhua”.
Shifra përbën 58.8 për qind të kapacitetit total të instaluar të prodhimit të energjisë në vend.
Kapaciteti i instaluar i prodhimit të energjisë së re, i përfaqësuar nga energjia nga dielli dhe era, arriti në 1.46 miliardë kilovat në fund të muajit të kaluar, duke zënë 42.8 për qind të kapacitetit total të prodhimit të energjisë në vend.
Të dhënat zyrtare treguan se kapaciteti i instaluar i Kinës për prodhimin e energjisë elektrike jofosile i tejkaloi 1 miliard kilovat për herë të parë në fund të qershorit 2021.
Rritja e shpejtë e kapacitetit të instaluar reflektoi përpjekjet e vazhdueshme të sektorit të energjisë për të optimizuar strukturën e energjisë dhe për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe me karbon të ulët.