Kapacitetet e spitaleve janë mbushur! Mjekët: Jemi të rraskapitur, ju lusim që t’i respektoni rekomandimet

“Ju lusim! Përmbahuni rekomandimeve, mbani maska, ruani distancën. Vetëm në këtë mënyrë do të dalim si fitues nga kjo betejë”.

Përmes kësaj video-porosie, të punësuarit shëndetësorë në vend kërkuan përkrahje nga qytetarët, duke apeluar t’i respektojnë masat. Ata thonë se janë të rraskapitur, por se vazhdojnë të luftojnë për shëndetin dhe jetën e pacientëve.

Milena Stevanoviq: “Kapacitetet e spitaleve tashmë janë mbushur, kurse dinamika e kurimit dhe pranimit të pacientëve të rinj është gjithnjë e më e paqëndrueshme”.

Dejan Dokiq: “Do të kisha dashur të kuptoni se në mënyrë të palodhshme po luftojmë për shëndetin dhe jetën e çdo pacienti”.

Kalina Grivçeva – Stardellova: “Jemi të angazhuar gjatë gjithë kohës me dëshirë që ta ofrojmë më të mirën prej nesh”.

Mjekët të cilët që nga fillimi i epidemisë gjatë 9 muajve të kaluar janë në vijat e para të frontit porosisin:

Ilir Demiri, “Që moti nuk e llogarisim më orarin tonë të punës”.

Dimitrar Kllarkinski: “Edhe ne kemi familje, kemi fëmijë, prindër të moshuar. As ne nuk duam që sëmundjen ta bartim në shtëpinë tonë, e as të infektohemi”.

Irena Rambaboca-Bushljetiq: “Po mundohemi dhe do të insistojmë që asnjë pacient të mos ngelet pa mbrojtje adekuate mjekësore për t’u trajtuar në kushte spitalore”.

Sabri: “Kjo situatë do të zgjasë ende dhe vetëm të bashkuar mund të japim kontribut, që të mund t’u ndihmojmë pacientëve tanë”.

Korona po merr hov në të gjithë vendin, kapacitetet spitalore po mbushen, kurse kovid-qendrat shtohen gjithnjë e më shumë brenda spitaleve. Në 24 orët e fundit në kovid-qendrat në Shkup janë hospitalizuar 36 pacientë të rinj për shkak të komplikimeve nga koronavirusi. Gjithsej 467 persona të dyshuar apo të konfirmuar me Covid-19 po trajtohen në repartet infektive në kryeqytet. Edhe Spitali i Strugës i ka përmbushur kapacitetet e planifikuara për të infektuarit, kurse rastet më të rënda dërgohen në Shkup. Stafi, i cili për çdo ditë ballafaqohet me tmerrin dhe mungesën e oksigjenit për të sëmurët, po lufton edhe me punën e stërlodhshme. Problem shtesë në funksionim është se ka 20 punëtorë të infektuar shëndetësorë, 6 prej të cilëve janë mjekë./tv21