Kandidati për ambasador amerikan: Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është në interes të SHBA-së

Kandidati i presidentit Donald Trump për ambasador të SHBA-së në Bullgari, Douglas Holder, deklaroi se është në interesin amerikan që Maqedonia e Veriut të arrijë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Deklarata u bë gjatë dëgjimit të tij në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan më 30 shtator.

I pyetur për rolin e Uashingtonit në raportet mes Shkupit dhe Sofjes, Holder tha se mosmarrëveshjet mes dy vendeve janë komplekse, ndërsa SHBA-ja ka marrëdhënie të mira me të dyja palët.
“Nëse konfirmohem, synimi im do të jetë të ruaj marrëdhëniet me të dyja vendet, të bisedoj me udhëheqësit e tyre dhe të inkurajoj mirëkuptimin e ndërsjellë”, deklaroi Holder. Kur u pyet drejtpërdrejt nëse anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është në interesin amerikan, ai u përgjigj pozitivisht.

Holder, ish-anëtar republikan i Dhomës së Përfaqësuesve të Floridës, është nominuar nga Trump për postin e ambasadorit në Sofje dhe pret konfirmimin e Senatit. Ai paralajmëroi se, nëse konfirmohet, ndër prioritetet e tij do të jenë edhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes SHBA-së dhe Bullgarisë.