Kamionëve dhe autobusëve nga Kosova u pamundësohet lëvizja, MPJD: Ju lutem mos udhëtoni nëpër Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka bërë të ditur në mbrëmjen e së hënës se është pamundësuar lëvizja e autobusëve dhe kamionëve nga Kosova për në Serbi, në pikëkalimet Jarinjë dhe Merdare.

Bllokadat besohet se janë shkaktuar si pasojë e protestave që janë duke u mbajtur në territorin serb.

Sipas saj, as kalimi i veturave nuk është i sigurt.

Në disa grupe në rrjetin social, Telegram, serbët kanë thënë se rrugët janë bllokuar nga vozitës të kamionëve me mallra serbe, si shenjë revolte ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në territorin e Kosovs, prej javës së kaluar.

Shefi i stafit në Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Sharr Jakupi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos udhëtojnë nëpër Serbi.

Ai tutje ka kërkuar që të gjithë ata që tashmë kanë hyrë në Serbi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.

”Ju njoftojmë se ne territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova. Nuk është i sigurtë për momentin as kalimi i veturave. Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit. Nëse nuk keni hyrë tashmë në Serbi, ju lutemi, mos udhëtoni përmes Serbisë”, ka shkruar Jakupi.