“Kamikazët” amerikanë mbërrijnë në Ukrainë, Rusia “njësi të lodhura” në Donbas!

Ndihma amerikane për ushtrinë ukrainas vazhdon, e së fundi, forcat e Kievit do të marrin dhe një dërgesë tjetër të rëndësishme nga SHBA.

Mediat britanike thonë se gjatë ditës pritet mbërritja e dërgesës së parë të dronëve kamikzë “Phoenix Ghost”. 12 fluturime me armë do të kryhen nga SHBA brenda 24 orësh, tha një zyrtar amerikan. Dronët Phoenix Ghost janë të aftë të godasin objektivin duke u shkatërruar dhe vetë, e konsiderohen një armë mjaft e vyer në fushëbetejë.

Ky zhvillim vjen në mesin e raporteve të inteligjencës britanike se forcat ruse po përballen me “sfida të konsiderueshme” në Donbas. “Rusia është detyruar të bashkojë dhe të ridislokojë njësi të lodhura dhe të ndryshme nga avancimi i dështuar në veri-lindje të Ukrainës dhe ti dërgojë ato në rajonet e Donjeckut e Luhanskut dhe shumë nga këto njësi ka të ngjarë të vuajnë nga morali i dobësuar”, shprehen shërbimet sekrete angleze, sipas të cilave, forcat ruse përballen me “mangësi të mëdha në koordinimin taktik”, një “mungesë të aftësive” dhe “mbështetje të paqëndrueshme ajrore”.

Ukrainë e pranoi më herët se ka pësuar humbje të rënda nga mësymja ruse në lindje të vendit. Megjithatë, sipas Kievit, humbjet e Moskës janë edhe më të mëdha se ato ukrainase, madje zyrtarët vendas i cilësuan ato si “kolosale”.

Top Channel