Kamberi: Vuçiqi do bashkëpunim me shqiptarët që e duan Serbinë

Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i cili po ndodh që një kohë të gjatë, tani ka marrë vëmendje më të shtuar të politikës në Kosovë e Shqipëri, me çka ka nxitur reagimin e ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja vendeve.

Nga ky proces që Serbia ka ndërmarrë e që për qëllim ka ndryshimin e strukturës etnike, më e prekur është Komuna e Medvegjës.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se kjo është pasojë e politikës perfide-diskriminuese serbe dhe se nuk sheh zgjidhje me një politikë çfarë po ndjek Aleksandar Vuçiqi, president i Serbisë. Sipas Kamberit, Vuçiqi do bashkëpunim vetëm me shqiptarët që e duan Serbinë, jo edhe me të zgjedhurit e tyre.

Kamberi ka thënë se bojkoti i regjistrimit të popullsisë në Serbi që e bënë shqiptarët e kësaj pjese në vitin 2001 nuk është arsye e pasivizimit të adresave. Përkundrazi, sipas tij, asokohe shqiptarët kishin bojkotuar procesin, meqenëse autoritetet serbe nuk iu kishin dhënë garanci se do t’i regjistronin të gjithë banorët e këtyre komunave, përfshirë edhe ata që ishin larguar dhunshëm.

“Flas për Medvegjën se ky proces është më ekstrem atje, jo se Bujanoci e Presheva nuk janë prekur. Bojkoti i regjistrimit të popullsisë më 2001 tentoi të realizojë këtë proces të shlyerjes së adresave të banimit, pra vetë procesi i regjistrimit në komunat tona kishte për qëllim që të pasivizojë të gjithë ata qytetarë që për shkaqe objektive nuk ishin nëpër vendbanimet e veta. E ata nuk ishin nëpër shtëpitë e tyre, pasi që më 1999 ishin larguar nën presionin që shkaktuan forcat serbe, që u stacionuan në Zonën tokësore të Sigurisë pasi u tërhoqën nga Kosova”, ka thënë ai.

Mirëpo mungojnë shifrat se sa banorë janë fshirë. Kjo pasi, sipas Kamberit, edhe kur kërkohen të dhënat, Policia arsyetohet se nuk ndan të dhëna në baza etnike, sepse këtë e ndalon Kushtetua e Serbisë.

Por fshirja e shqiptarëve nga regjistrat ka ndikuar që shqiptarët të jenë më pak të përfaqësuar në qeverisjet lokale.

Pasivizimi i adresave uli përfaqësimin e shqiptarëve në këshille komunale

Deputeti shqiptar në Serbi thotë se vetëm para zgjedhjeve lokale në Medvegjë gjatë 2018-s janë fshirë mbi 1.000 votues, çka ka bërë që përfaqësimi i shqiptarëve nga 8 sa ishte, të bjerë në 3.

Koalicioni “Të gjithë për Medvegjën” kishte fituar 2 këshilltarë, ndërsa PVD-ja një këshilltar. Deri atëherë në Këshillin Komunal të Medvegjës ishin 8 këshilltarë shqiptarë.

Kamberi ka thënë se një çështje të tillë shumë shpejtë do ta ngrejë në Kuvendin e Serbisë, për të kërkuar shënime të sakta për numrin e qytetarëve me adresa të pasivizuara. Kjo, sipas tij, mund të shërbejë për të ndërtuar një fotografi më të saktë se për sa persona bëhet fjalë, pasi, sipas tij, për ata të cilët janë fshirë pasojat janë të mëdha.

“Qytetari ka pasoja të shumta. Pas shlyerjes ai e humb mundësinë e realizimit të të drejtave të veta civile (për shtesat e fëmijëve, ndihmë sociale, punësim deri tek e drejta e votës) pasi që këta persona eliminohen nga regjistrat zgjedhorë)”, shpjegon ai.

E çështja e pasivizimit nuk është problemi dhe shkelja e vetme e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë atje. Kamberi thotë se organet shtetërore dhe institucionet publike shtetërore janë “të ndaluara” për punësimin e shqiptarëve. Sipas tij, këto vende pune edhe kur hapen, janë të rezervuara për serbët, sidomos për ata të cilët e përkrahin SNS-në e Aleksandar Vuçiqit.

“E vetmja formë e punësimit të shqiptarëve në sektorin publik mbeten administratat komunale dhe shkollat, por kur kemi parasysh faktin se qeveria ka kufizuar numrin maksimal që një komunë mund të punësojë, është e qartë se komunat tona nuk mund të absorbojnë atë numër të madh të të rinjve të papunë”, thotë ai.

Gjendje e rënduar ekonomike e politike

Mes shumë shkeljeve të të drejtave të komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës, është edhe mungesa e investimeve në komunat ku ata jetojnë. Kamberi thotë se të vetmet investime që bëhen janë ato të sektorit privat lokal, por që nuk ka kapacitete për të krijuar vende pune në masë.

“Gjendja politike e rënduar, mungesa e programeve qeveritare që do të subvenciononte bizneset e huaja për të investuar në komunat tona nuk ekziston, ndërkohë që ndërmarrjet ekonomike të kohës së socializmit ose janë shkatërruar ose mbahen peng në duart e agjencive qeveritare dhe nuk privatizohen”, deklaron ai.

Kamberi në fokusin e tij gjatë kësaj legjislature thotë se do ta ketë nisjen e dialogut të qeverisë me përfaqësuesit e zgjedhur shqiptarë për planin shtatëpikësh.

Ky program, sipas tij, parasheh një seri masash për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Por, po i shohim paralajmërimet e këqija të vetë presidentit serb. Ai kërkon të bashkëpunojë me ‘shqiptarë që e duan Serbinë’, meqë me ne, të zgjedhurit e shqiptarëve nuk dëshiron të dialogojë. Një situatë ‘deja vu’”, shprehet ai.

Në zgjedhjet e fundit në Serbi, që u mbajtën më 21 qershor, shqiptarët kanë fituar tri mandate.