Cilën anë duhet ta mbajnë shqiptarët, të maqedonasve apo bullgarëve?

Fejzi HAJDARI

A duhet të jemi ne shqiptarët e Maqedonisë në anën e maqedonasve apo bullgarëve, në frymën e zhvillimeve të reja? Kjo pyetje më duket se është prezente tek çdo shqiptar në Maqedoninë e Veriut, edhe pse nuk po elaborohet shumë në opinion.
Mendoj se ne nuk duhet të mbajmë asnjërën anë. Ne duhet të mbajmë anën e BE-së, respektivisht të anojmë kah zgjidhja që na e hap rrugën për në BE.
Mbi të gjitha, shqiptarët nuk duhet të jenë statistë (figurantë) të palëvizshëm në këtë kontest të vështirë. Duhet dhënë mbështetje të plotë zgjidhjes së kontesteve që pengojnë rrugën tonë drejt BE-së, jo duke ofenduar bashkëqytetarët maqedonas, por duke sqaruar se ombrella e BE-së është një garanci më e fuqishme për identitetet kombëtare, se të kaluarat historike.
Neve nuk na konvenon të kemi një ministër aktual të Punëve të Jashtme, që ka pozita më të dobëta se një politikan moti i pensionuar, siç është Lubço Georgievski.
Ky është rast që shqiptarët t’i tregojnë BE-së që ne jemi faktorë në Maqedoninë e Veriut. Një rast të tillë e lëshuam tek Marrëveshja e Prespës, kur të gjitha meritat, por dorën në zemër edhe tërë barrën për këtë marrëveshje, e mori një politikan maqedonas, Zoran Zaev.
Kjo ndodh kur na përfaqësojnë politikanë pa potencë, me bisht të kapur me derë. Një gjë e tillë nuk guxon të përsëritet. Nëse ne sot nuk marrim barrën e zgjidhjes së kontesteve që hapin rrugën drejt BE-së, nesër nuk duhet të habitemi nëse BE nuk na jep peshën e duhur, konform numrave që kemi.
Zaev tani po përballet me kundërshtimin e qarqeve të ndryshme për gjetje të zgjidhjes, prandaj ne duhet t’iu japim përkrahje. Por duhet të jetë përkrahje që do të evidentohet nga Brukseli dhe përkrahje që na faktorizon neve. E jo përkrahje blanko nga struktura të kapura në afera, të cilat nuk mund t’i thonë jo as Zaevit, as Gruevskit, e asnjë pushteti maqedonas.