Kamberi vendos kusht për bashkëpunimin me Listën Studentore

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me Listën Studentore pas zgjedhjeve parlamentare, por ka theksuar se çdo bashkëpunim duhet të mbështetet në një dialog serioz dhe në angazhime konkrete.

Kamberi ka bërë të qartë se përfaqësimi politik nuk duhet të mbetet vetëm në nivel simbolik. Sipas tij, shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen, e jo vetëm përfshirje formale në institucionet e Serbisë.

Ai ka theksuar se prioritet mbetet realizimi i kërkesave të shqiptarëve përmes Planit 7-pikësh, si dhe trajtimi i çështjeve urgjente që lidhen me pasivizimin e adresave, përfaqësimin institucional dhe arsimin.

Duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit pas zgjedhjeve, Kamberi ka nënvizuar se një partneritet i tillë duhet të sjellë rezultate konkrete dhe të garantojë avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.