Punësimet të reja të komuniteteve të tjera në emër të shqiptarëve së fundmi janë bërë edhe në Agjencinë e Kadastrës. Pas publikimit të emrave të përzgjedhur në konkursin e shpallur për punësimin e 23 administratorëve në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive, reagoi Lëvizja Besa.
Sipas tyre, është paaftësia e BDI-së që në vend të zgjidhen kandidatë shqiptarë, ashtu siç e parashikon konkursi, janë përzgjedhur kandidatë maqedonas. Nga kjo parti kërkojnë anulimin e konkursit.
Çka është edhe më skandaloze nuk janë zgjedh kandidatët për njësitë Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe këshilltar shtetëror për çështje financiare që ju takojnë shqiptarëve. Kjo edhe njëherë dëshmon paaftësinë e BDI-së kundrejt LSDM-së dhe rolin e tyre vazal, si dhe argumenton kërkesën e Lëvizjes BESA për futjen e grafës etnike në dokumentet identifikuese”-thonë nga Lëvizja Besa.
Reagoi edhe Aleanca për Shqiptarët. Nga kjo parti paralajmërojnë ligj të ri për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë të shqiptarëve në institucione me qëllim që t’u jepet fund abuzimeve të tilla.
BDI si pjesë e qeverisë vazhdon edhe më tej ta luajë rolin e kukullës ne Qeveri e cila nuk e pa të arsyeshme të paktën njëherë ta ngrit zërin për këtë fenomen, sa i turpshëm po aq skandaloz. Por, si njërës ashtu edhe tjetrës palë po i konvenon gjendja në të cilën po fusin qytetarët për përfitime politike. Ne si subjekt politik kërkojmë llogari nga të gjitha organet që heshtin ndaj këtyre shkeljeve”-theksojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
Sipas konkursit që mban datën e 12 Dhjetorit 2019, të vet deklaruarit si shqiptarë, janë zgjedhur Gordana Saviq – ndihmës udhëheqës sektori për ndryshime; Eva Ivanovska – bashkëpunëtore e re për ndryshime; Ratko Avramovski bashkëpunëtor i ri për digjitalizim; Irena Jovanovska – referente sporteli; Katerina Filipovska referent e sistemit GIS; Ljupço Çutrevski – referent sporteli dhe Simona Markovska – referent për ndryshime.