Ka ndërruar jetë fëmiu që u dërgua me aeroplan nga Shkupi në Cyrih

Fëmija që u soll nga Maqedonia e Veriut në Zvicër për trajtim nga koronavirusi, ka humbur betejën me sëmundjen. Ajo ishte nga Kantoni i Aargaut, informon “Aargauer Zeitung”

Në Zvicër, për herë të parë ka vdekur një fëmijë nga koronavirusi. Bëhet fjalë për një foshnje nga Kantoni i Aargaut. Foshnja thuhet se është infektuar në Maqedoninë e Veriut dhe më pas është dërguar për trajtim në Cyrih.

Në konferencën e tij të parë për media, Stefan Kuster të premten njoftoi se «për fat të keq» një fëmijë i parë në Zvicër ka vdekur nga koronavirusi. “Kjo vdekje nuk prek një shkollar por një foshnje”, tha Kuster, informon Shtegu.com. Kreu i ri i departamentit të sëmundjeve ngjitëse në Zyrën Federale të Shëndetit Publik (BAG) ishte i pikëlluar shumë me vdekjen e fëmijës nga Kantoni Aargau. “Ky rast i trishtë duhet të merret shumë seriozisht”, thotë Kuster.

Fillimisht, hospitalizimi i vogëlushes ishte i panjohur për opinionin. Siç tha Stefan Kuster, fëmija ishte infektuar jashtë vendit – sipas informatave të SRF, në Maqedoninë e Veriut. Sipas Stefan Kuster, ai u riatdhesua në Zvicër dhe u trajtua në Spitalin e Fëmijëve në Cyrih. Hetimet e mëtejshme për rastin janë në vazhdim.