Juventusi përgatit festën për titullin e 9-të radhazi, në Udine luan “match point-in” e parë!

Juventusi ka sot shansin e parë për të fituar matematikisht titullin e 9-të kampion radhazi në Serie A. Në Udine bardhezinjtë luajnë një match point për Scudetton, pasi me një fitore përballë Udineses në orën 19:30 Ronaldo me shokë do të siguronin edhe zyrtarisht trofeun e Serie A për edicionin 2019-2020, titull kampion që do të jetë i pari për trajnerin Maurizio Sarri. Nëse triumfon në Dacia Arena, Juventusi do ta thellojë në 9 pikë avantazhin ndaj Atalantës që është edhe ndjekësja më e afërt dhe duke patur parasysh që ndaj zikaltrve nga Bergamo, bardhezinjtë kanë favorin e ndeshjeve direkte, 9 pikë diferencë kur mbeten edhe 3 javë për t’u luajtur shpallin Juven automatikisht kampione të Italisë për këtë sezon.

Udinese në krahun tjetër nuk ka siguruar ende mbijetesën dhe një barazim do t’i bënte shumë punë përballë skuadrës kryesuese, por nëse ja del të ndal Juven skuadrën friulane do t’u shtynte festën bardhezinjëve. Ndërkohë në mbrëmje në orën 21:45 Lazio pret në Olimpico Cagliarin në një ndeshje ku do të rikthehet te fitorja pas një thatësire që zgjat prej 5 takimesh ku ka grumbulluar vetëm 1 pikë. Me një sukses ndaj skuadrës sarde, formacioni i Simone Inzaghit do ta ngushtonte në vetëm një pikë diferencën me Interin e vendit të 3-të.