Juventusi ka luajtur baras me rezultat 0-0 në udhëtim tek Empoli në kuadër të javës së katërt në elitën e futbollit italian.
Rasti i parë serioz në këtë sfidë i takoi ‘Zonjës së Vjetër’ të cilët rrezikuan seriozisht me anë të Federico Gattit në minutën e 36-të, por portieri vendas reagoi për mrekulli për t’ia mohuar golin.
Në pjesën e dytë Juventusi rriti intensitetin e lojës dhe krijoi disa raste të mira shënimi megjithatë rezultati mbeti po ai i 45 minutave të para.
‘Bianconerët’ rrezikuan fillimisht përmes Dusan Vlahovic i cili në minutën e 50-të bëri një gjuajtje të fortë e cila u ndal me shumë vështirësi nga portieri Vasquez.
Një tjetër super reagim nga portieri i Empolit erdhi në minutën e 53-të kur Teun Koopmeiners nuk arriti të realizojë për shkak të pritjes së tij fantastike.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më ndonjë rast shënimi dhe Empoli i Ardian Ismajlit ia doli të shkëputë një pikë ndaj ekipit të Thiago Mottës.
Pas kësaj ndeshje Juventus shkon në kuotën e tetë pikëve dhe momentalisht është ende lider i tabelës deri në kompletimin e të gjitha xhirove.
Javën e ardhshme ata do të jenë nikoqir të Napolit në ‘Allianz Stadium’, mirëpo paraprakisht do të presin në Turin ekipin e PSV-së në kuadër të Ligës së Kampionëve.