Juventusi interesohet për transferimin e yllit të Chelseat

Benoit Badiashile është transferuar me shumë bujë në afatin kalimtar të janarit te Chelsea, por ai nuk ka arritur të lë gjurmë në Londër.

Chelsea ka paguar 38 milionë euro për transferimin e tij nga Monaco, por francezi këtë edicion ka vetëm një ndeshje të zhvilluar, pasi në disa mungoi shkaku lëndimi dhe në disa ndeshje të tjera qëndroi në bankë duke mos u preferuar nga Mauricio Pochettino.

Largimi i tij nga Chelsea në afatin kalimtar duket mëse i mundshëm, pasi Badiashile synon të ketë më shumë minuta për të marrë një ftesë nga Franca për Euro 2024.

Juventusi është duke e përcjell situatën e francezit dhe është interesuar për transferimin e tij.

Zonja e Vjetër kërkon ta përforcojë repartin defensivë dhe trajneri Massimiliano Allegri e pëlqen qendërmbrojtësin francez.

Calciomercato ka raportuar se torinezët synojnë huazimin e Badiashilles me mundësi blerje në fund të sezonit.

Që nga transferimi te Chelsea, Badiashille ka zhvilluar vetëm 12 ndeshje, teksa ka realizuar edhe dy gola.