“Jugosllovenët e rinj” kërkesat jetike kombëtare te shqiptarëve i quajnë “demode”

Shkruan: Bekim Qoku

Jugosllovenët e rinj lidhur me këto dukuri thonë, që këto lloj kërkesash janë demode, që tani më e rëndësishme është ekonomia.

Është shqetësues fakti që tipa si zv. kryeministri Bytyqi nga radhët e LSDMV-së, apo si Edmond Ademi janë bërë normal në sytë e publikut shqiptarë. Për shqiptarët sot nuk quhet më veprim nacionalist kur këtë e bën pala sllavomaqedonase. Pra nuk është nacionalizëm nëse në një njësit nuk ka shqiptarë, kjo është normale, nacionalizëm është kërkesa e shqiptarëve për të pasur pjesëmarrje shqiptare. Ose, nuk është nacionalizëm kur një sllavomaqedonas kërkon të flitet maqedonisht, është vetëm kur një shqiptar kërkon të flitet shqip. Thjesht, vazhdon ende të sundojë mendësia e skllavit.

Deri dje kishte një betejë kombëtare për të dalë nga inferioriteti i thellë i shqiptarëve në raport me sllavët maqedonas dominues, kishte një përpjekje më dinamike për barazim mes dy popujve më të mëdhenj.

Me sa duket, sllavët dinakë ua gjetën më në fund pikën e dobët shqiptarëve, u japin pak pushtet disa individëve të korruptuar e të shantazhueshëm, dhe shumica e të tjerëve do heshtin o do ikin.

Të ishin pak më të mençur e të vetëdijshëm për dëmin që do u sillte universiteti shqiptar, nuk do e pengonin aq dhunshëm themelimin e USH të Tetovës, po do të themelonin 5-6 si tani për ta rrënuar tërësisht dijen dhe inteligjencien shqiptare.