Jovevski: Presim që sot të përfundojë marrja e ADN-së nga familjarët e viktimave

Kreu i Prokurorisë Publike, Lubomir Jovevski thotë se nuk ka informacione të reja në lidhje me tragjedinë në Bullgari. Jovevski thotë se autoritetet vendase janë të bindur për punën profesionale të Prokurorisë në Bullgari.

“Prokuroria deri më tani nuk ka informacione të reja lidhur me aksidentin tragjik dhe as nuk jemi dakorduar që të na i dorëzojnë të gjitha informatat. Ne jemi të bindur në profesionalizmin e prokurorëve bullgarë dhe se ata do të zbardhin të gjitha rrethanat rreth tragjedisë”, tha prokurori shtetëror Lubomir Joveski për Telma.

Jovevski konfirmoi se dje ka pasur probleme që ekspertët tanë të mjekësisë ligjore të hyjnë në obduksion, por ato janë tejkaluar dhe tani përfaqësuesit tanë të mjeksësisë ligjore janë duke punuar në autopsi.

“Dje u dakorduam me prokurorin që drejton hetimet në Bullgari për të siguruar gjurmë biologjike nga familjarët e viktimave. Shumica e këtyre gjurmëve gjatë ditës së djeshme janë grumbulluar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Në mëngjes më njoftuan se dy-tre anëtarë të tjerë të familjes duhet të japin gjurmë biologjike dhe presim që ky proces të përfundojë sot. Kemi rënë dakord me prokurorin bullgar që të dërgojmë hetues për t’i dhënë atij mostrat e analizave të ADN-së që do të kryhen në Shkup, të cilat do të krahasohen me të dhënat nga autopsitë e viktimave dhe testet e ADN-së të bëra në Sofje”, tha Jovevski.

Jovevski thotë se për momentin nuk mund të caktohet saktë se kur do të bëhet dërgimi i eshtrave nga Bullgaria në vendin tonë, por megjithatë pret që kjo të bëhet së shpejti.

I pyetur në lidhje me “Besa Trans”, kontrollin e këtij transportuesi, kontrollin teknik dhe korrektësinë e autobusit, prokurori i shtetit është përgjigjur se në këtë moment nuk do të komentojë për fakte dhe rrethana të caktuara.

“Gjatë kësaj procedure të hetimit të udhëhequr nga prokurorët bullgarë, ndër të tjera, shprehëm gatishmëri për të bashkëpunuar plotësisht për të gjitha këto çështje, dokumente dhe të dhëna që u nevojiten”, tha Jovevski.

Ai shtoi se fillimisht do të pritet rezultati i procedurës hetuese në Bullgari, e më pas, varësisht nga e gjithë kjo, do të merret vendim përkatës nga Prokuroria Publike.

Sipas Jovevskit, duhet të merren të gjitha masat që në të ardhmen të parandalohen aksidente të tilla.

“Në pjesën e kompetencës sonë është fare e qartë se do të presim procedurën që do të bëhet në Bullgari sepse aty shqyrtohen të gjitha aspektet e ngjarjes konkrete. Dje kam njoftuar se dokumentacioni i caktuar për automjetin është siguruar dhe do të vendoset në dispozicion të prokurorëve në Bullgari”, tha Jovevski.