Joseph, Zelenskyt: Mos e zgjat takimin me Vuçiqin, kthehu në Kiev dhe njihe Kosovën

Profesori amerikan, Edward Joseph, ka këshilluar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky që të mos e zgjasë takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Greqi, të kthehet në Ukrainë dhe ta njohë Kosovën.

Ai përmes një postimi në Twitter ka shkruar se sapo të përfundojë “izolimi serbo-rus i Kosovës” do të jetë fundi i lojës së Vuçiqit.

“Këshilla ime është që të kesh takim të shkurtër me Vuçiqin. Kthehu në Kiev dhe puno për ta njohur Koosvën. Beogradi do të ketë vetëm një opsion, atë që qytetarët tuaj e kanë zgjedhur, opsionin për ta përqafuar NATO-n dhe BE-në. Një zgjidhje përfundimtare dinjitoze e çështjes së Kosovës do t’i shkaktojë goditje të madhe (presidentit rus, Vladimir, v.j.) Putinit”, ka shkruar ai.

Joseph ka shkruar se Rusia ashtu si edhe Serbia e shfrytëzojnë Kosovën për të mbështetur agresionin kundër Ukrainës.

“President Zelensky, mos bini në grackë për t’u përpjekur për të joshur Vuçiqin. Marrëdhënia e tij me Rusinë dhe fuqia e tij, e mbështetë izolimin e Kosovës. Ne e dimë këtë duke u bazuar në akuzat e Beogradit dhe Moskës për lëvizjen që ka bërë përpara Kosova”, ka shkruar ai.

Sipas tij, nuk është aspak e çuditshme që Rusia gëzon mbështetje në Serbi.

Ka shtuar se Serbia jo vetëm që refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por gjithashtu shpërfill hapur politikën e Bashkimit Evropian.