Jose Mourinho besnik ndaj Romës, refuzon ofertën e Brazilit

Trajneri i Romës, Jose Mourinho, ka refuzuar ofertën për të marrë drejtimin e Kombëtares së Brazilit, raportojnë mediat italiane, duke theksuar se ai është plotësisht i fokusuar në punën që ka nisur te klubi italian.

Brazilianët janë aktualisht pa trajner pasi Tite dha dorëheqjen pas eliminimit nga Kroacia në Botërorin e Katarit dhe drejtuesit e Federatës së Futbollit atje kontaktuan me Mourinhon me dëshirën për të arritur bashkëpunimin dhe për të qenë ai trajner i kësaj skuadre në të ardhmen.

Nga ana tjetër, Mourinho e refuzoi ofertën e brazilianëve sepse dëshiron të qëndrojë sa më i fokusuar në detyrat që e presin te Roma edhe pse legjendari Ronaldo u përpoq ta bindte të ndryshonte vendimin e tij, por në fund dështoi.

Mësohet se portugezi ka ripërsëritur qëndrimin e tij se dëshiron t’i përkushtohet plotësisht karrierës së tij në klub dhe se për momentin nuk është gati të jetë trajner i asnjë ekipi kombëtar.

Gjithashtu, ai së fundmi ishte i lidhur me Kombëtaren e Portugalisë, por ai e refuzoi edhe atë ofertë.

Mourinho erdhi te Roma në vitin 2021 dhe me të ekip fitoi Ligën e Konferencës sezonin e kaluar.

Ai më parë ka drejtuar Porton, Interin, Chelsean, Realin, Manchester Unitedin dhe Tottenhamin. /Telegrafi/