Johnson thirrje Rouhanit t’u jepet fund armiqësive Iran-SHBA

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson kërkoi nga presidenti iranian Hasan Rouhani që t’u jepet fund armiqësive mes Iranit dhe SHBA-ve.

Në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrisë britanike thuhet se Johnson në një bisedë telefonike me presidentin iranian Rouhani ka diskutuar mbi situatën e krijuar në rajon pas vrasjes së liderit të forcave elitare Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit (IRCG), Qasem Soleimani dhe i ka bërë thirrje që t’u jepet fund armiqësive.

Johnson theksoi angazhimin e Britanisë ndaj marrëveshjes bërthamore si dhe dialogut që vazhdon për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore dhe uljen e tensioneve.

Kryeministri britanik ka sjellë në rend dite edhe situatën e Nazanin Zaghari, qytetaren me nënshtetësi të dyfishtë e cila është dënuar me burg me akuzën për spiunazh me ç’rast ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të saj.

Në një fjalim të djeshëm Johnson tha se në duart e Soleimanit kishte “gjak të ushtarëve britanikë”.

– Tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit

Tensionet në rajon tashmë të rritura midis SHBA-ve dhe Iranit u përshkallëzuan në nivel të lartë pasi gjenerali iranian, Qasem Soleimani, u vra në një sulm amerikan në Bagdad të premten e kaluar. Ndërsa më pas Ushtria e Gardës Revolucionare të Iranit, njoftoi se goditi me dhjetëra raketa balistike bazën ajrore Ayn Al-Asad të SHBA-ve në Irak, në kundërpërgjigje për vrasjen e Soleimanit.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) njoftoi se ndaj bazave të saj Ayn Al-Asad në qytetin Anbar dhe në qytetin Erbil ku janë të vendosur ushtarët amerikanë, Irani kreu sulme me më shumë se 12 raketa balistike.