Jetulla Qerimi: Kur padrejtësia bëhet jetë, vdekja për ty vëlla u bë Liri!

Rexhail Qerimi

Shkruan: Jetulla Qerimi

Sot 1 vit, vëllai i jonë Rexhail Qerimi, ndërroi jetë në burgun famëkeq të Idrizovës.
Kur padrejtësia bëhet jetë, vdekja Rexho VËLLA për ty u bë Liri!
Kur u desht të ngrihet zëri për shkollat shqipe viteve të 80-ta, ti ishe aty.
Më vonë kur u desht mobilizimi për t’i dalë në mbrojtje vendit dhe popullit tonë, ti more pushkën dhe u rreshtove në radhët e UÇK-së!
Pas lufte kur ti dhe gjithë ne menduam se erdhi liria, atëherë kur u deshtë që të shijosh jetën dhe lirinë, të montuan dhe të burgosën ata, që për interesa klanore e ndërruan uniformën e UÇK-së me petkun e njollosur të politikës, e të zgjodhën ty për të të montuar duke të dënuar me burg të përjetshëm, ashtu siç edhe vepruan edhe me shumë luftëtarë të tjerë!
Për pafajësinë tënde kishte dëshmi e prova të shumta dhe u ngrit zëri lart, por nuk patën veshë të dëgjojnë politikanët të cilët asnjëherë s’e morën seriozisht rastin “Alfa”, dhe ditën vetëm të të gënjejnë e neglizhojnë ty!
Ata politikan që të montuan e të burgosën ende po qeverisin, e po jetojnë me djersën e këtij populli të vuajtur e të shtypur!
Zoti të pastë shpërblyer me Gradën më të madhe të Xhenetit!

* Jetulla Qerimi, vëlla i të ndjerit Rexhail Qerimi

Në burgun e Idrizovës, saktë para një viti, kishte ndërruar jetë Rexhail Qerimi, nga fshati Opajë i Kumanovës, i dënuar për rastin “Alfa”.
Më 26 nëntor të vitit 2008 në Shkup, ndodhi vrasja e një polici të njësitit “Alfa” Afrim Arifi, në afërsi të Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore, ndërsa mbetën rëndë të plagosur edhe dy policë të tjerë.
Rasti në fjalë bëri bujë në opinioni shqiptar, sepse dy vite më vonë, më 30 prill të vitit 2010, për këtë vrasje u dënuan me burgim të përjetshëm ish-pjesëtarët e UÇK-së: Rexhail Qerimi dhe Agim Islami nga fshati Rashçe i Shkupit. Gjithashtu, me 6 vite burg u dënua ish ushtari i UÇK-së, Ramadan Shaqiri. Rasti është bazuar në dëshminë e “dëshmitarëve të mbrojtur”.
Derisa ishte në arrati, me burgim të përjetshëm u dënua edhe Almir Drpljanin, që më vonë u ekstradua në Maqedoni për të vuajtur burgun.
Avokatët, familjarët Qerimit, Islamit dhe Shaqirit, por edhe vetë të dënuarit, gjatë gjithë kohës kanë pohuar se rasti ka qenë i montuar ata nuk e kanë kryer vrasjen dhe se janë të pafajshëm. Gjatë gjithë këtyre viteve familjarët e Qerimit kanë dërguar letra të hapura në media duke thënë se në kohën e vrasjes Rexhaili ka qenë në çajtore në fshatin Opajë. Ata kërkuan edhe nga ish Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë ta merr në duar rastin.