Japonia bën thirrje për vetizolim, paralajmërohet për 400 mijë viktima të virusit

Japonia ka kërkuar nga qytetarët e vet që të qëndrojnë në shtëpi pasi mediet raportuan për 400 mijë viktima të koronavirusit, nëse nuk merren masa urgjente për parandalimin e sëmundjes.

Në Japoni testohen vetëm personat që kanë simptoma të Covid-19 dhe deri më tani në këtë shtet janë regjistruar mbi 8,000 raste të infektimeve dhe rreth 200 viktima.

Mediet japoneze e cituan një dokument të papublikuar të Ministrisë së Shëndetësisë, në të cilin parashikohet vdekja e 400 mijë personave, nëse nuk merren masa. Aty gjithashtu parashikohet se 850 mijë njerëz të infektuar mund të kenë nevojë për ventilatorë.

Japonia ka shënuar rritje të shpejtë të infektimeve me koronavirus në javët e fundit, sidomos në kryeqytetin Tokio. Qeveria e ka shpallur gjendjen emergjente në kryeqytet dhe në gjashtë zona të tjera, përfshirë Osakan, shkruan “Reuters”.

Në mesin e masave përfshihet kërkesa që njerëzit të izolohen dhe bizneset të mbyllen, por rregullat nuk parashohin gjoba për ata që nuk i zbatojnë kërkesat e qeverisë.

Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Yoshihide Suga, kërkoi nga populli që të bëjë gjithçka që ka në duar për ta ndihmuar qeverinë në arritjen e qëllimit.

Ndryshe, të mërkurën u bë e ditur se numri i vizitorëve të huaj në Japoni ka rënë për 93 për qind gjatë muajit mars në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.