“Janë fillimi i ortekut të UÇK-së”, Ali Ahmeti në Kosovë, kujton Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin

Në 25 vjetorin e rënies heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, ish komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti tha se të njëjtit kanë qenë fillimi i ortekut të UÇK-së, shkruan TV21. Ahmeti tha se të gjithë bashkëluftëtarët e kanë dashur jetën vetëm për këtë arsye, për lirinë e vendit.

“Që të gjithë janë fillimi i ortekut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të gjithë janë edhe bashkëluftëtarë të bashkëluftëtarëve tanë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli si dhe të tjerëve që kanë kaluar nëpër ata dyer, sot me krenari po edhe me kujtime të kohës, mbase edhe me dhimbje, i kujtojmë, sepse të gjithë këta e kanë dashur jetën për këtë arsye edhe kanë sakrifikuar për jetën e të gjithë popullit Kosovës e më gjerë. Lavdi e përjetshme, Femiut, Xhevës dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të cilët ne sot i kujtojmë”, tha Ahmeti.

Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Çiçavicë.

Bashkë me ta ra edhe studentja, Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë. Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit do ta mbajë kjo brigadë. Në sheshin e Drenasit janë vendosur shtatoret e dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.