Jahjaga: Qeverisë t’i japim kohë, është lehtë të japësh ide kur nuk ke përgjegjësi kushtetuese

Nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të Policisë, Atifete Jahjaga më 7 prill 2011 la uniformën e kaltër, për të marr pozitën e të parës së shtetit të Kosovës për pesë vite.

Vetëm 13 ditë para se të festonte ditëlindjen e saj të 36, Jahjaga me prejardhje nga fshati Rashkoc i Gjakovës e cila nga viti 2000 i shërbeu vendit nën uniformën e policisë, u emërua Presidente e Republikës së Kosovës, për ta mbajtur këtë pozitë deri në vitin 2016.

Aktivitetin e saj sot, Jahjaga po e zhvillon duke kontribuar më së shumti në fuqizimin e grave, të rinjve, minoriteteve dhe grupeve të margjinalizuara në Kosovë.

Ish-presidentja Jahjaga në një intervistë për Telegrafin ka folur edhe për sfidat e sukseset e saj gjatë vitit që lamë pas, ndryshimet në politikë dhe mënyrën si e sheh ajo politik-bërjen tash, për punën e fondacionit Jahjaga.

Nga pozita e ish-presidentes së vendit, ajo kërkoi më shumë kohë në mënyrë që të shihen punët e Qeverisë aktuale. Jahjaga nga përvoja e saj pesë vjeçare si e para e shtetit, zbuloi edhe një mësim që ka nxjerr.

Intervista e plotë:

Telegrafi: Cila ka qenë sfida juaj më e madhe gjatë vitit 2021?

Atifete Jahjaga: Sfida më e madhe për mua këtë vit dhe, besoj se kjo vlen edhe për pjesën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, ka vazhduar të jetë pandemia Covid-19. Edhe pse, fatmirësisht, u vaksinuan një numër i madh i qytetarëve tanë dhe ra dukshëm numri i infektimeve e vdekjeve nga Coronavirusi, ende nuk jemi kthyer në normalitet. Ka qenë, pra, pikërisht kjo gjendje jonormale, në të cilën shumë njerëz humbën jetën e shumë të tjerë e humbën edhe punën, e cila ka vazhduar të më shqetësojë edhe gjatë vitit që po lëmë pas.

Në çdo fushë të jetës është dashur të improvizojmë- gjithnjë duke vepruar në përputhje me masat e restriksionet që na imponoi Covid-19. Pra, edhe 2021 sikurse viti paraprak, ishte një vit goxha sfidues.

Telegrafi: Cilat i shihni ju si të arriturat më të mëdha të këtij viti dhe cili ka qenë suksesi më i madh i Fondacionit Jahjaga në vitin 2021?

Atifete Jahjaga: Ky ishte vit i rritjes për Fondacionin Jahjaga, si nga numri i programeve ashtu edhe nga përbërja e ekipit, i cili u zgjerua në këtë periudhë. Gjatë këtij viti, ekipi i Fondacionit Jahjaga ka realizuar një sërë aktivitetesh në programet për fuqizimin e grave, të rinjve dhe të grupeve minoritare. Kemi vazhduar me programin Shkolla e Nënave, prej të cilit kanë diplomuar edhe 60 gra nga Prishtina dhe Fushë Kosova dhe kemi vazhduar me publikimin e dy edicioneve të reja të revistës “ZA” që përmbajnë plot histori inspiruese të grave dhe burrave të angazhuar për barazi dhe gjithëpërfshirje. Një e veçantë e këtij viti ishte lansimi i programit One in Three (Një në Tre), i cili përfshinë linjën e veshjeve të qepura nga gratë e margjinalizuara e të cilat shiten online përmes GjirafaMall. Në këtë program kam pasur rastin të përfshihem direkt në dizajnimin e një linje, e cila veçse është në shitje, dhe fal këtyre shitjeve do të kemi mundësinë t’i kontribuojmë fuqizimit ekonomik të grave të margjinalizuara, me prioritet për gratë e mbijetuara të dhunës. One in Three ka për qëllim të rrisë vetëdijen mbi fenomenin shqetësues të dhunës ndaj grave. Kujtoj se, në nivel global, një në tri gra përjetojnë dhunë.

Telegrafi: Si e shihni gjendjen e gruas sot në Kosovë dhe sa po dëgjohet zëri i grave në shoqërinë kosovare, sipas jush?

Atifete Jahjaga: Kemi përmirësime të dukshme në aspektin e pjesëmarrjes së grave në politikë. Kujtoj se në zgjedhjet e kaluara nacionale gratë e zgjedhura në Kuvendin e Kosovës tejkaluan kuotën gjinore prej 30%. Megjithatë, mbetet sfiduese pjesëmarrja e tyre në vendim-marrje dhe në politik-bërje. Kosova, fatkeqësisht, ende nuk e zbaton në mënyrë rigoroze Ligjin për Barazi Gjinore që parasheh përfaqësim të barabartë gjinor në të gjithë institucionet shtetërore. Por, së fundi kam vërejtur lëvizje pozitive me emërimet e më shumë grave në pozita drejtuese në komuna pas zgjedhjeve lokale të mbajtura këtë vit. Uroj që edhe komunat e tjera të ndjekin shembullin e Mitrovicës, Prizrenit, e të Vushtrrisë duke emëruar më shumë gra në pozita ekzekutive.

Telegrafi: Viteve të fundit kemi raportim më të madh të rasteve të dhunës në familje. A është ky si rezultat i rritjes së guximit për të raportuar dhunën?

Atifete Jahjaga: Rritja e rasteve të dhunës në familje është shumë shqetësuese. Gjatë vitit të fundit e sidomos prej se ka nisur pandemia Covid-19 kemi parë shifra shumë të larta të rasteve të dhunës në familje e sidomos të dhunës mbi baza gjinore. Nuk ka të bëjë kjo aq shumë me guximin e viktimave për të raportuar rastet e që, ndoshta, edhe mund të jetë rritur për shkak të aktivizmit të shtuar qytetar në këtë drejtim. Por, arsye kryesore e një numri kaq të madh të rasteve të dhunës mbi baza gjinore vazhdon të jetë pabarazia gjinore në Kosovë.

Pabarazia gjinore është e rrënjosur thellë në shoqërinë tonë dhe është, do të thosha, burimi kryesor i dhunës në familje, por dhuna mbi baza gjinore gjithashtu përforcon pabarazinë gjinore. Pra, ne po flasim për një rreth vicioz që duhet ta thyejmë. Ne duhet të transformojmë normat e dëmshme shoqërore dhe të krijojmë shoqëri të barabarta në të cilat gratë dhe burrat mund të zhvillohen.

Këtë mund ta bëjmë duke u nisur nga familja në të cilën janë instaluar norma të tilla të gabuara gjinore. Familjet, veçanërisht prindërit, duhet t’i edukojnë vajzat dhe djemtë e tyre për rëndësinë e barazisë gjinore. Edukimi për barazinë gjinore duhet të jetë gjithashtu pjesë e kurrikulave në shkolla. Një mundësi tjetër është që të ketë programe trajnimi për barazinë gjinore në universitet. Pra, ka një mori masash që duhen marrë për të luftuar barrierat strukturore, kulturore dhe ligjore me të cilat përballen gratë. Duke vepruar kështu, mendoj se rastet e dhunës mbi baza gjinore do të zvogëloheshin.

Telegrafi: Sa po u jepet hapësirë e përkrahje të rinjve në Kosovë?

Atifete Jahjaga: Si shumë vende të botës, edhe Kosova vazhdon ta ketë si sfidë në krijimin e një demokracie gjithëpërfshirëse për shkak të numrit ende të vogël të të rinjve në proceset e rëndësishme të politik- bërjes dhe vendimmarrjes institucionale. Andaj, duhet të bëjmë më shumë për të nxitur rininë që pjesëmarrjen në politikë ta shohin si mjet për adresimin e nevojave, kërkesave dhe interesave të tyre, të cilat askush nuk mund t’i përfaqësojë më mirë se vet ata.

Në Kosovë të rinjtë përfaqësojnë grupin më të madh të të gjithë popullsisë, nga e cila 35% janë të moshës 15-24 vjeç dhe mbi 65% nën 30 vjeç. Nëse marrim për bazë këtë përbërje demografike, është e domosdoshme që të rinjtë të përfshihen në politikë, si mundësinë më të mirë të përfaqësimit adekuat në jetën politike e institucionale të vendit.

Të rinjtë janë grup i fuqishëm dhe agjentë të ndryshimit. Kur të rinjtë janë të privuar nga e drejta ose të shkëputur nga proceset politike, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka pak ose aspak zë ose ndikim në vendimet që ndikojnë në jetën e komunitetit. Andaj, për të arritur ndryshime afatgjate, është e rëndësishme që të rinjtë të përfshihen në proceset e hartimit dhe zbatimit të politikave sot në mënyrë që e nesërmja e shtetit e shoqërisë sonë të jetë më demokratike, më paqësore dhe më e qëndrueshme.

Telegrafi: Nga pozita e ish-Presidentes, si e shihni sot situatën politike në Kosovë?

Atifete Jahjaga: Në rrafshim e brendshëm, kemi një Qeveri të re të cilës duhet t’i japim kohë për të parë rezultate konkrete. Në rrafshin e jashtëm, sfidë mbetet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, avancimi ynë në integrimin në struktura euro-atlantike, dhe fuqizimi ynë si shtet në arenën ndërkombëtare.

Shqetësuese për mua mbetet qasja e Serbisë në raport me Kosovën dhe kryeneçësia e politikanëve serbë kur bëhet fjalë për çështje dhe tema për të cilën kanë folur instancat më të larta të drejtësisë në vendin tonë. Shpresoj se në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të shohim një sh’tensionim të situatës dhe vazhdim të bisedimeve në të mirë të qytetarëve të të dyja shteteve tona.

Telegrafi: Çfarë do të bënit ndryshe?

Atifete Jahjaga: Është shumë e lehtë të japësh komente apo ide për të bërë gjëra ndryshe kur nuk i ke më përgjegjësitë ligjore e kushtetuese që bart me vete një pozitë udhëheqëse shtetërore, por është shumë e vështirë të shtysh përpara ndryshime pozitive duke respektuar kërkesat e nevojat e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim dua të ndaj një mësim që kam nxjerrë nga përvoja ime si presidente e Republikës: Sa më shumë karrige që shton në tryezën e vendimmarrjes, aq më të mira dhe funksionale janë vendimet që merr dhe politikat që krijon.

Pra, do të doja të shihja më shumë përfaqësim të grave, të rinjve e grupeve minoritare e të margjinalizuara në tryezat e vendim- marrjes dhe politik bërjes në Kosovë.

Telegrafi: Krahasuar me kohën kur keni qenë në krye të shtetit, si e vlerësoni qasjen e institucioneve të Kosovës më politikën e jashtme?

Atifete Jahjaga: Është ende herë ta vlerësoj qasjen e institucioneve të Kosovës karshi politikës së jashtme, sepse nuk ka kaluar ende janë vit prej se kemi institucione të reja. Një gjë që duhet ta theksoj është nevoja urgjente për të zhbllokuar procesin e njohjes ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës. Ka disa vite prej se Kosova nuk ka njohje të reja dhe nëse ne duam të etablohemi si shtet në arenën ndërkombëtare është shumë e rëndësishme që entitetin tonë si shtet të pavarur e sovran ta njohin më shumë vende në botë. Ky duhet të jetë prioritet i Qeverisë sonë, sepse kemi humbur kohë dhe gjatë kesaj kohë të humbur Serbia ka vazhduar me fushatën e saj agresive për çnjohjen e Kosovës. Duhet të veprojmë dhe atë urgjentisht!

Telegrafi: A i shihni si pozitive ndryshimet e bëra në skenën e politikës kosovare viteve të fundit?

Atifete Jahjaga: Ndryshimi është gjithmonë i mirë kur synimi i këtij ndryshimi është progresi dhe zhvillimi. Kur flasim për ndryshimet politike në Kosovë, vendimmarrës të këtyre ndryshimeve kanë qenë dhe janë qytetarët e vendit tonë, të cilët në çdo palë zgjedhje kanë mundësinë për të vendosur se si do të duket përbërja politike e partiake e Kuvendit të Kosovës e rrjedhimisht edhe Qeverisë dhe Presidencës si institucione që zgjedhen nga legjislativi i vendit. Pra, qytetari i Kosovës, në ditën e zgjedhjeve, në çdo palë zgjedhjesh ka qene ai/ajo që ka vlerësuar se a kanë qenë pozitive apo negative ndryshimet e bëra nga qeveria brenda një mandati. Dhe kështu do të jetë edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale kurdo që mbahen ato.

Telegrafi: Sa të suksesshëm e konsideroni vitin 2021 për ju, marrë parasysh rrethanat në të cilat ka qenë bota në përballje me pandeminë?

Atifete Jahjaga: Kemi humbur shumë njerëz si pasojë e Covid-19. Kosova ka ende një sistem të brishtë të shëndetësisë. Por, pavarësisht gjendjes së rrënuar dhe resurseve të limituara, kemi arritur t’u dalim në ndihmë pacientëve dhe të shërojmë mijëra të infektuar. Pra, edhe në ditët e errëta, ne nuk u dorëzuam por i bëmë ballë pandemisë me të gjithë forcat tona. Puna e palodhshme dhe përkushtimi i stafit mjekësor në të gjithë vendin mendoj se duhet të njihet. Po ashtu, do të veçoja mbështetjen me ilaçe, vaksina dhe material shëndetësor të shumë shteteve ndaj Kosovës gjatë kësaj kohe emergjente.

Pavarësisht gjendjes jonormale në të cilën gjendet e gjithë bota, e Kosova nuk bën përjashtim këtu, ne kemi ecur përpara. Në politikë, patëm zgjedhje nacionale dhe një proces të shkëlqyeshëm zgjedhor në aspektin organizativ dhe të mbarëvajtjes.

Në sport, xhudokat e Kosovës fituan dy medalje të arta në Lojërat Olimpike në Tokio duke e çuar në tri numrin total të medaljeve të arta që Kosova ka fituar në xhudo në pesë vitet e fundit. Suksesi i Distria Krasniqi e Nora Gjakova është vazhdim i suksesit të Majlinda Kelmendit i dëshmoi botës se, edhe një vend i vogël si Kosova që dikur kërcënohej nga spastrimi etnik, prodhon kampionë të nivelit botërorë. Xhudokat tona e shkruan historinë në sport, por më e rëndësishmja është se e vendosën Kosovën në hartë! Së fundi, edhe trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, u shpall Trajner më i mirë i vitit nga Federata Botërore e Xhudos. Përkushtimi, guximi dhe disiplina e hekurt e ekipit tonë të xhudos i dhanë Kosovës, e sidomos të rinjve të saj, shpresë, vullnet dhe motiv për të synuar suksese në të gjithë fushat.

Në kinematografi, kishim po ashtu një vit shumë të suksesshëm me pjesëmarrjen e filmave të Kosovës në festivale të ndryshme të botës. Filmi “Pa vend” i Samir Karahodës mori pjesë në Festivalin e Filmit në Kanë; Norika Sefa fitoi çmimin e jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Roterdamit (IFFR) me filmin “Në kërkim të Venerës”. Filmi “Luaneshat” e Luana Bajramit mori çmimin për regjinë më të mirë dhe filmin më të mirë debutues në Festivalin e Filmit “Raindance” të Mbretërisë së Bashkuar. Arritja ndoshta më e madhe është ajo e filmit “Zgjoi” të Blerta Bashollit që mori tri çmime në festivalin e filmit “Sundance”, ndërsa e çoi Kosovën në listën e ngushtë për nominim të çmimit prestigjioz Oscar.

Një tjetër sukses për të cilin gëzohem është mbështetja që Kosova u dha refugjatëve afganë dhe gatishmëria e padiskutueshme për të strehuar ata në vendin tonë. Ne, shqiptarët e Kosovës, e kemi përjetuar luftën në lëkurën tonë dhe e dimë më së miri se çfarë do të thotë të dëbohesh nga vendi yt. Andaj, jam shumë krenare me aktivizimin dhe angazhimin e Kosovës në këtë përpjekje të përbashkët humanitare.

Telegrafi: Çka prisni nga viti 2022 dhe cilat janë planet tuaja për këtë vit?

Atifete Jahjaga: Shpresoj, në radhë të pare, që në vitin 2022, në të gjithë vendet e botës të ulet dukshëm numri i të infektuarve më virusin Covid-19 në mënyrë që, të paktën deri në fund të vitit, të stabilizohet gjendja për t’i hapur rrugën deklarimit nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpalljen e përfundimit të pandemisë.

Një tjetër gjë që pres të ndodhë në vitin që vjen është gjetja e një zgjidhjeje të përbashkët të shteteve të Evropës për krizën aktuale energjetike dhe investimi më i madh i Kosovës në burime të energjisë së ripërtërishme në periudhën afat-gjate. Nuk është e drejtë që qytetarët e Kosovës të qëndrojnë në terr dhe pa ngrohje. Kjo është sidomos problematike për familjet më fëmijë apo njerëz të moshuar e të sëmurë të cilët, edhe ashtu, e kanë shëndetin më të ndjeshëm dhe nevojat më të mëdha për kujdes. Pa energji elektrike dhe ngrohje është shumë vështirë t’u përmbushen nevojat dhe t’u kushtohet kujdesi që u duhet. Në vitin 2022, shpresoj se qytetarët tanë, më në fund, do të jenë në gjendje të lëvizin pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian. Izolimi e getoizimi i mëtejmë i Kosovës, si vend që synon integrimin evropian, do të ishte turpi më i madh i Bashkimit Evropian. Uroj, pra, që shtetet e BE-së të këndellen dhe ta konvertojnë qasjen bllokuese karshi Kosovës në qasje integruese. Fare në fund, por jo më pak e rëndësishme, është dëshira për të parë më shumë vajza e gra duke mbërritur potencialin e tyre në të gjithë fushat si në politikë, shkencë, ekonomi, mjekësi, teknologji e të tjera. Gratë janë agjente të ndryshimit pozitiv dhe duhet t’u japim më shumë hapësirë për të treguar talentin dhe aftësitë që kanë.