Ja me çfarë ilaçe po shërohet pacientja e infektuar me virusin korona në Shkup (Video)

Autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut e dijnë me saktësi trajektoren e pacientes me koronavirus, e cila është infektuar në Itali derisa ka qenë atje për vizitë familjare.
Menjëherë pas hyrjes në vend, pacientja dërgohet në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup, pasi e ka ditur se ajo është e sëmurë.

Këtë informacion e bëri të ditur në “Politica” në Tv Globi”, infektologu Fadil Cana, i cili punon në Klinikën Infektive Universitare në Shkup.

Infektologu Cana tha se pacientja 50 vjeçare është në gjendje stabile dhe në vëzhgim do të mbahet dy javë. Ajo trajtohet me antibiotikë edhe pse OBSH rekomandonte që virusi korona assesi të mos shërohet me këto barna. Megjithatë, Cana thotë se ajo jep rezultate pozitive.

Ai sqaron se të gjitha testet mbi virusin korona bëhen vetëm në Klinikën Infektive në Shkup.

50 vjeçarja e cila trajtohet në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup mbetet rasti i vetëm me koronavirus në vend.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se të gjitha rastet e dyshimta që u testuan dy ditët e fundit rezultuan negativ.

Gruaja që ishte paraqitur në mëngjes në spital, shoferi i furgonit dhe personi që mbrëmë ishte arratisur nga izolimi në Spitalin e Shtipit, s’kanë korona virus.

Filipçe shtoi se në karantinë mbeten 4 persona bashkë me 9 bashkë-udhëtarët e të infektuarës, por tha se deri tani as në Itali nuk ka ndonjë shtetas tonë të infektuar.

Ndryshe, në tërë botën raportohet për 2 800 të vdekur dhe mbi 83 000 të infektuar. OBSH megjithatë akoma nuk e ka shpallur pandemi.