Ja çfarë u vendos për Ronaldon

Blitz i shpejtë, por me shumë takime. Në stilin perfekt të Jorge Mendes. Super agjenti i Cristiano Ronaldos bëri një ndalesë në Milano të mërkurën, për më pak se 24 orë, duke u takuar me drejtuesit e klubeve të ndryshme italiane.

Përfshirë Juventusin, ku luan ylli më i ndritshëm i tij. Mendes, sipas asaj që filtroi në burimet mediatike portugeze, kishte një kontakt me CEO e ri bardhezi, Federico Cherubini.

Një bisedë larg syve kureshtarë, për të shqyrtuar të ardhmen e pesë herë fituesit të “Topit të Artë” me Juventusin e trajnerit të ri dhe të vjetër, Massimiliano Allegri.

Një bisedë që nuk është vendimtare, por gjithsesi e rëndësishme. Menaxheri i CR7 për herë të parë u përball jo më Fabio Paratici, me të cilin në vitin 2018 kishin gatuar marrëveshjen e shekullit “Cristiano Ronaldo-Juventus”, por pasardhësin e tij Cherubini, i freskët nga promovimi si drejtuesi i zonës sportive të Juventusit.

Të dy tashmë e njihnin njëri-tjetrin. Menaxheri nga Foligno në vitet e fundit ishte krahu i djathtë i Paratici, por emërimi në vendin e këtij të fundit është pak a shumë si fillimi i një kapitulli të ri. Kapitull në të cilin nuk është ende e sigurt prania e kampionit 36-vjeçar portugez. Juventusi e ka shijuar CR7 në tri vitet e fundit me bollëk golash: 101 në 133 ndeshje. Megjithatë, nuk i është afruar asnjë hap qëllimit kryesor për të cilin u mor portugezi: Ligës së Kampionëve.