Izraeli thotë se e bombardoi kampin e refugjatëve në Gazë

Ushtria e Izraelit ka thënë të martën vonë se e kreu një sulm të gjerë në kampin e refugjatëve në Jabalia ndaj infrastrukturës së Hamasit “i cili i kishte marrë nën kontroll ndërtesat civile” dhe se tunelet nën ndërtesa u shembën.

Ajo tha se u vranë një numër i madh i militantëve të Hamasit, përfshirë edhe Ibrahim Biari, komandanti i cili i udhëhoqi operacionet në pjesën veriore të Rripit të Gazës.

Paraprakisht, Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga grupi militant palestinez Hamas, tha se kampi i refugjatëve Jabalia u godit nga së paku gjashtë sulme ajrore, si pasojë e të cilave u shkatërrua një numër i blloqeve banesore në një zonë banimi. Ajo raportoi për një numër të madh viktimash, por nuk dha hollësi.

Izraeli tha se dy ushtarë izraelitë u vranë gjatë luftimeve në veri të Gazës. Këto janë vrasjet e para të raportuara prej se u përshkallëzua ofensiva tokësore në territorin e vogël mesdhetar javën e kaluar.

Kur kanë mbetur ende disa qindra palestinezë në veri të Gazës, Ushtria e Izraelit ka përparuar në disa pjesë të Qytetit të Gazës.

 

Në kampin e refugjatëve Jabalia, një zonë e mbipopulluar me rrugë të ngushta në periferi të Qytetit të Gazës, pamjet nga televizioni Al-Jazeera shfaqën disa ndërtesa të rrënuara.

Dhjetëra punëtorë të ekipeve të shpëtimit dhe banorë gërmuan në kërkim të të mbijetuarve nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara. Burra të rinj u panë duke i bartur dy fëmijë nga katet e larta të një blloku të dëmtuar banesor. Nuk është e qartë nëse fëmijët ishin të gjallë apo të vdekur, raporton Associated Press.

I vendosur në Qytetin e Gazës, Jabalia është kampi më i madh i refugjatëve i Gazës nga tetë sosh.

Mbi 160.000 refugjatë ishin regjistruar në të nga Kombet e Bashkuara deri në korrik 2023.

Refugjatët filluan të zhvendosin në këtë kamp pas luftës së vitit 1948. Është një zonë e vogël por e populluar dendësisht dhe përbëhet kryesisht nga ndërtesat e banimit.

Jabalia i ka 26 shkolla në 16 ndërtesa, një qendër për shpërndarjen e ushqimit, dy qendra të mjekësisë familjare, një bibliotekë dhe shtatë bunarë për ujë.

Bashkë me kampin Shati, Jabalia ndodhet në zonën të cilën Izraeli e ka deklaruar si zonë evakuimi pasi nisi bombardimet e Rripit të Gazës, pas sulmeve të militantëve të Hamasit më 7 tetor në qytetet e Izraelit jugor, ku i vranë mbi 1.400 njerëz, kryesisht civilë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Më herët, Ushtria e Izraelit tha se trupat tokësore e morën nën kontroll një bastion ushtarak të Hamasit në perëndim të Jabalias, duke i vrarë 50 militantë.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, i mohoi pretendimet e ushtrisë, duke thënë se ajo po përpiqej t’i arsyetonte “krimet e neveritshme ndaj civilëve”.

Më shumë se 8.500 palestinezë janë vrarë në luftë, kryesisht gra dhe të mitur, tha të martën Ministria e Shëndetësisë e Gazës, duke mos bërë zbërthim mes civilëve dhe luftëtarëve.

Mbi 1.400 njerëz u vranë në Izrael, kryesisht civilë të vrarë gjatë sulmeve fillestare të Hamasit më 7 tetor. Militantët palestinezë i rrëmbyen po ashtu edhe rreth 240 njerëz gjatë sulmeve në qytetet e Izraelit jugor./REL