Izolimi shfaq tendencën e rritjes së dhunës në familje

Dhuna në familje paraqet një nga problemet më shqetësuese gjatë ditëve të izolimit.

Nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës Familjare në Maqedoninë e Veriut, kanë theksuar se gjendja e krizës me koronavirusin mund ta rrisë numrin e rasteve të dhunës në familje.

Urania Pirovska, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Shkup, për Radion Evropa e Lirë thotë se gjatë periudhës në vazhdim, si rrjedhojë e karantinës pret që të rritet numri i parashtresave që kanë të bëjnë me dhunën në familje.

“U bëj apel të gjitha grave nëse janë pre e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër, të drejtohen në Komitetin e Helsinkit dhe Ministrinë e Punës dhe Politikes Sociale për ndihmë, dhe njëherësh t`i denoncojnë këto raste në stacionin më të afërt policor për të pasur një dëshmi që lënda të procedohet më tej në organet e drejtësisë”, thotë Pirovska.

Ekspertët e sociologjisë theksojnë se izolimi në shtëpi për një kohë më të gjatë shpërfaq problemet mes çifteve që kanë qenë të shtresuara për më shumë kohë, e që janë kamufluar përmes jetës dinamike.

Ali Pajaziti, ligjërues i sociologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se me ngushtimin e hapësirës mes çifteve bashkëshortore çon në rritjen e tensioneve duke i bërë viktima të fshehura të pandemisë së koronavirusit.

“Fenomeni COVID-19 e ka ndryshuar kursin dhe mënyrën e jetesës. Pra i ka afruar apo tej afruar çiftet bashkëshortore, ka bërë që ata të jenë ballë për ballë njëri tjetrit brenda 24 orëve me disa pauza të vogla kur njeri apo tjetri del jashtë shtëpisë për tu furnizuar me gjësendet e nevojshme, por marrë në përgjithësi kontakti i tyre është shumë i ngjeshur dhe kjo bën që të paraqiten xixa të intolerancës mes tyre. Kjo pastaj shkakton një ambient apo atmosferë turbulente që kalon pastaj deri tek dhuna e pakontrolluar”, thotë Pajaziti.

Përderisa, Hane Osmani nga Asociacioni për Afirmimin e Gruas në Maqedoni, për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet parë dhe anën tjetër të medaljës së karantinës, sepse siç thekson ajo, bashkimi i njerëzve brenda familjes, kontribuon në krijimin e relacioneve më të mira mes çifteve, por dhe familjes në përgjithësi.

“Në kohën e karantinës jeta është shumë më pak dinamike sesa jashtë kësaj situate. Kështu që tani që të dy prindërit kanë kohë të mjaftueshme për t`ia kushtuar familjes dhe zbukurimit të ambientit familjar duke njohur më mirë njëri-tjetrin, duke qëndruar më afër fëmijëve, duke u dhënë ndihmën e kërkuar gjatë obligimeve shkollore që tashmë i kanë përmes platformave të mësimit online, duke zhvilluar lojëra tradicionale në vend të atyre përmes pajisjeve elektronike”, thotë Hane Osmani.

Në fillim të kësaj jave, Misioni i OSBE-së në Shkup, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës Familjare nëpërmjet një komunikate të përbashkët u kanë bërë thirrje aktorëve relevantë në Maqedoninë e Veriut që të bëjnë përpjekje shtesë për parandalimin e dhunës në familje gjatë krizës së koronavirusit.

Zëvendësministrja e Punës dhe Politikës Sociale Sanella Shkrijel, është zotuar se edhe gjatë qëndrimit në karantinë, institucionet e shtetit do të vihen në veprim për të luftuar fenomenin e dhunës në çdo formë që ajo mund të paraqitet, duke bërë të ditur se dikasteri që përfaqëson tashmë ka hapur linja telefonike për të denoncuar dhunën në familje.

“Në gjendje të stresit dhe izolimit shtëpiak dhuna plotësisht mund të eskalojë. Qeveria e rriti qasjen te shërbimet për viktimat e dhunës në vend. Askush nuk duhet të ndjehet se është lënë vetëm”, ka theksuar në komunikatën e përbashkët me shkrim, Shkrijel.