Izet Mexhiti kritikon Artan Grubin: Mos u fshih pas figurës së Ali Ahmetit

BDI ka ardhur në këtë derexhe, sepse Artan Grubi, uzurpatori i partisë sonë ka menduar se mund të eliminojë trashëgiminë tonë politike dhe ta imponojë vetveten. Kështu u shpreh Izet Mexhiti në tubimin e Grupit të zjarrit në Teatrin Kombëtar në Shkup.

Ai tha se Artan Grubi është duke u fshehur pas figurës së Ali Ahmetit.

“Kryetari është figura në hije e Artan Grubit. Në secilin postim që ai bën në fejsbuk, ai është personazhi i dytë në promovimin e Artan Grubit duke bërë këshilltarin dhe shefin e kabinetit. Artan Grubi i bën paraqitje publike në të cilën figura e Ali Ahmetit është gjithnjë më e zbehur”, tha Mexhiti, transmeton TV21.

“Sot kemi idenë origjinale të BDI këtu, dhe Artan Grubin në anën tjetër. Po, fjalën e kam për Artan Grubin e klasës. Aktivistin e shoqërisë civile të cilën e kam ndihmuar me vite të tëra sa kam qenë kryetar i Çairit. Përkthyesin e Ambsadave, i cili kur ne ndërtonim partinë ai merrte mëditje duke mos e prishur në asnjë moment rehatinë e tij. Ndërsa kur mbeti pa pune u kujtua se mund të imponohet te partitë. Po, po Artan Grubi licitonte hapur te liderët e partive për të parë se cili do të hapte dyert dhe natyrisht dyert i gjeti të hapura te struktura më demokratike, te BDI”, tha më tej Mexhiti.