ITSHKSH në ditën e katërt të edicionit “Ditët e Alfabetit”

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore te Shqiptareve –
Shkup në ditën e katërt të edicionit “Ditët e Alfabetit” u fokusua te
dy studiues gjermanë Maksimilijan Lambertzi dhe Johan Von Han.

Ne emër të ITShKSh-së, të pranishmit i përshëndeti sekretari shkencor
i institutit, Sefer Tahiri i cili tha “Gjuha shqipe, me dialektet dhe
të folmet e shumta të saj, të shkruarit, përdorimi dhe kultivimi i
saj, së bashku me interferencat me gjuhë tjera ballkanike por jo
vetëm, është studiuar në vazhdimësi nga studiues të ndryshëm të
hapësirës akademike shqiptare, por kjo gjuhë, për shkak të lashtësisë
së saj, por edhe për shkak se i përket popullit që në Ballkan
gjithmonë ka qenë me peshë, asnjëherë nuk i është shmangur optikës
shkencore evropiane dhe amerikane, ndërsa në këtë drejtim veçohen
studimet gjermane.

Interesimi i shkencëtarëve gjermanë ka rëndësi për shqiptarët edhe në
aspektin gjeopolitik dhe përdëftimin se shqiptarët i takojnë edhe
identitetit evropian. Meqë në fushën gjeopolitike rastësia nuk
ekziston, ky interesim shkencor, është pasuar me angazhimin e kombeve
mike të shqiptarëve, jo vetëm në shtet-ndërtimin e Shqipërisë në vitin
1912, por edhe në arritjen e pavarësisë së Kosovës si shtet dhe në
avancimin e statusit të shqiptarëve e në veçanti të shqipes në
Maqedoninë e Veriut”, theksoi Tahiri.

Më pas me kumtesat e tyre u prezantuan studiues si: Anton Nikë Berisha
me temën “Maximilian Lambertzi për qarqet letrare shqipe”, Ylber Sela
me temën “Hani dhe udhëtimi i tij nëpër viset e Drinit dhe Vardarit”,
Mimoza Kore me “Falori i J. G.Von Hahn-it dhe mbështetja e
albanologëve të tjerë në të” dhe Emin Azemi me temën “Maximilan
Lambertzi në studimet e disa autorëve shqiptarë”.