Italia ndalon udhëtimin brenda vendit për Krishtlindje

Italia do ta ndalojë udhëtimin përbrenda vendit nga 21 dhjetori deri më 6 janar si pjesë e masave të rrepta për mbrojtje nga COV ID-19 gjatë festës së Krishtlindjeve.

Ora policore nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në 05:00 të mëngjesit do të jetë në fuqi, gjithashtu.

Në disa rajone restorantet mund të jenë të hapura deri në ora 18:00, derisa në disa pjesë të vendit do të lejohet vetëm “takeaway” (mere me vete).

Pistat e skijimit do të jenë të mbyllura deri më 7 janar.

Këto masa vijnë pasi Italia regjistroi shifrën më të lartë të vdekjeve prej kur shpërtheu pandemia – 993 vdekje.

“Ne duhet ta eliminojmë rrezikun e valës së tretë që mund të arrijë në muajin janar dhe nuk është më pak serioze se vala e para dhe e dytë”, ka thënë kryeministri italian Giuseppe Conte.

Përjashtime për udhëtim do të ketë për çështje pune, arsye mjekësore, ose raste emergjente.

Në mesin e masave për ndalimin e udhëtimit në mes të rajoneve brenda vendit, njerëzit nuk do të lejohen që të largohen nga qytetet e tyre në Ditën e Krishtlindjeve dhe Ditën e Vitit të Ri.