Ishin nisur drejt Evropës, së paku 57 imigrantë mbyten në ujërat e Libisë

Së paku 57 persona janë mbytur në ujë pas përmbytjes së barkës në ujërat e Libisë, afër Khumsit, tha Organizata Ndërkombëtare e Migrimit e Kombeve të Bashkuara.

Kjo është tragjedia e fundit në Detin Mesdhe, ku vetëm në shtatë muajt e këtij viti kanë vdekur mbi 1.100 njerëz, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Zëdhënësja e organit të OKB-së, Safa Msehli, i tha agjencisë Reuters se trupat e pajetë ende nuk janë nxjerrë, por në mesin e të mbijetuarve ka imigrantë nga Nigeria, Gana dhe Gambia.

“Sipas të mbijetuarve që janë sjellë në breg nga peshkatarët dhe roja bregdetare, së paku 20 gra dhe dy fëmijë janë në mesin e të mbyturve”, tha ajo përmes rrjeteve sociale.
Reklamë

Largimi i imigrantëve me barka nga Libia dhe Tunizia drejt Italisë e pjesëve tjera të Evropës është shtuar në muajt e fundit për shkak të përmirësimit të motit.

Qindra mijëra imigrantë e morën rrugën e rrezikshme vitin e kaluar, shumë prej tyre duke u ikur konfliktit dhe varfërisë në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme.