Ish-pjesëtarët e UÇK-së pa status, “branitellat” me shumë beneficione

Shkruan: Muhamer Pajaziti

Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, ende nuk është miratuar Ligji për statusin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Maqedoni.

Ky ligj nuk u inicua edhe gjatë këtij mandati, kur në Kuvendin e Maqedonisë kishte rreth 30 deputetë shqiptarë.

Me këtë dëshmohet se nuk kishte vullnet të mirë as nga deputetë shqiptarë, e lërë më ata maqedonasë.

Lufta e vitit 2001 mes UÇK-së dhe Armatës së Maqedonisë përfundoi me një marrëveshje të paqes.

Ish-pjesëtarët e UÇK-së u amnistuan, por ata mbetën pa mbështetje institucionale.

Një pjesë e vogël shijoi të mirat e pushtetit, kryesishtë ata që ishin të angazhuar në logjistikën e luftës, ndërsa luftëtarët që morrën pjesë në teatrin e luftimeve mbetën në gjendje të mjerueshme.

Derisa “Branitellat” marrin pagë duke filluar nga 500 deri në 800 euro, ushtarët e UÇK-së u detyruan vetë ta zgjidhin fatin e tyre.

Një pjesë e madhe prej tyre kanë vdekur nga sëmundje të rënda, duke jetuar në kushte shumë të vështira dhe të thyer emocionalisht.

Disa janë munduar të mbijetojnë me mund dhe me djersë, duke bërë punë të vështira, e disa kanë zgjedhur ta braktisin vendin drejtë shteteve të Evropës.

Ata shpeshëherë nuk e morën edhe mirënjohjen më të vogël, për gjithë ato beteja që zhvilluan për ta mundësuar lirinë që ne sot e gëzojmë.

Ata sot nuk kanë asnjë beneficion, nuk marrin shtesa për fëmijët, fëmijët e tyre nuk kanë përparësi për tu regjistruar në universitet, nuk janë liruar nga taksat bazike komunale dhe nuk kanë transport publik falas. Këto beneficione I gëzojnë vetëm “branitellat” maqedonas.