15 ditë na ndajnë nga 1 shtatori kur sipas Ligjit për arsim duhet të fillojë viti shkollor. Autoritetet arsimore kanë paralajmëruar se viti shkollor mund të fillojë më 15 shtator, por për çdo prolongim duhet ndryshime ligjore. Ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti nuk beson se ndonjë ministër do të mund të dalë mbi ligjin dhe të bëjë shtyerje të vitit shkollor pa ndryshime ligjore.
“Realisht, ministri vetëm propozon ndërsa Kuvendi është ai që miraton. Diçka që është rregulluar me Ligj, nuk mund të ndryshohet me Rregullore apo me urdhëresë. Tani unë nuk e di se cili ministër mund të merrte përgjegjësinë që të bëjë një shkelje ligjore dhe këtu duhet të kemi mirëkuptim për çdo ministër i cili është në situatë, sepse duke e ditur se Maqedonia e Veriut është vend parlamentar, askush nuk mund të dalë mbi ligjin”, tha ish-ministri, Sulejman Rushiti.
Edhe pse sipas Rushitit shtyerja nuk do të jetë e gjatë dhe një gjë e tillë ka ndodhur gjatë gjysmëvjetorëve të dyta, sërish vlerëson se institucionet arsimore janë vonë me zgjidhjen e problemit.
“Absolutisht po. Ne jemi të vonuar. Respektivisht, autoritetet që është dashur t’i kryejnë këto diskutime, që të përgatiten për variantin e mundshëm pasi edhe paralajmërohej se në shtator do të jetë vala e dytë, mendoj se duheshin të merreshin parasysh edhe ndryshimet ligjore. për të qenë të përgatitur sa i përket valës së dytë”, u shpreh Sulejman Rushiti, ish-ministër.
Por ministri në largim i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi ditë më parë shprehu bindjen se institucionet nuk janë vonë me vendimet për vitin shkollor.
“Jo, nuk është vonë. Nëse ne vendosim sot që me pjesëmarrje fizike të organizohet është si rjedhojë se situata epidemiologjike na e mundëson atë dhe është kërkesë e prindërve në bazë të anketës që e kemi bërë me UNICEF”, deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Tërë kjo amulli, sipas Rushitit do të ndikojë edhe në efikasitetin e vitit të ri shkollor. Ndërkaq thotë se në situatën aktuale, modeli më ideal do të jetë ai i kombinuar.
“Çdo pikëpyetje që mund të ngritet nga nxënësit e shkollave fillore, të mesme dhe nga studentët, do të ketë edhe pasoja në tërë vitin shkollor që vijon”, shtoi ish-ministri Sulejman Rushiti.
Për këtë, ish ministri Sulejman Rushiti propozon që në debatin për fillimvitin shkollor të kyçen jo vetëm ekspertët shëndetësore, por edhe psikologët dhe sociologët.