Ish komandant i UÇK-së: Në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, kërkojmë ish ushtarëve të na kthehet dinjiteti

Nuhi Mustafi
Lëvdata dhe vlerësime të paqena për arritje me këtë kornizë të ndryshkur u serviren shqiptarëve sa herë kanë nevojë për mbështetje të elektorati shqiptar për faktin se, kanë qenë ata që kanë bërë të mundur nënshkrimin e saj si fitore e madhe e shqiptarëve. Por, e vërteta është ndryshe nga ajo se ç´broçkullisin papagajtë e DUI-it. Edhe pas Marrëveshjes shqiptarët ngelën po ata që ishin para konfliktit të pabarabartë në punësime,në përdorimin e gjuhës, në diplomaci dhe në fusha të tjera të ekonomisë në vend. Qëndrimi nënshtrues dhe servil i partive politike shqiptare në qeveritë e koalicionit në lidhje me mbrojtjen dhe ruajtjen e interesave kombëtare shqiptare, ka dëshmuar përfundimisht se shqiptarët janë mashtruar dhe tradhtuar për një çerek shekulli nga përfaqësuesit e forcave politike shqiptare të “dërzhaves”. Me këtë “paçavurë”, ne ish ushtarët e të lavdishmes UÇK llogaritemi si “AMNESTIRANI TERRORISTI”, në çdo institucion ku shkojmë konsiderohemi me termin terroristë të amnestuar, kjo do të thotë se ne jemi humbësit, pavarësisht se betejat në arenën luftuesi i kemi fituar, me këtë term gjeneratat e reja dhe ata që do të vijnë do të na quajnë humbës, pasi ndërmjet rreshtave ashtu po elaborohet kjo marrëveshje “kërmë” e Ohrit (p.s. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe fjala kërmë do të thotë; Kufomë e një kafshe të vrarë ose të ngordhur, që ka mbetur disa ditë pa u mbuluar, ka filluar të prishet dhe mban erë; ngordhësirë, cofëtinë; mish shumë i dobët e fare pa dhjamë etj). Andaj unë, por edhe shumica e ish ushtarëve të UÇK-së, në mbrojtje të dinjitetit tonë kërkojmë qe sa më shpejtë të bëhet: Risocializimi i ish pjesëtarëve të UÇK-së, Përfaqësimi i drejt i shqiptarëve në institucionet shtetërore, Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, jo i gjuhës së 20 % -shit Ndarja proporcionale e buxhetit shtetëror ku participojnë me mbi 40% shqiptarët. Risocializimi dhe integrimi i pjesëtareve të UÇK-së ka qenë i obliguar që të realizohet brenda katër viteve për të cilën bashkësia ndërkombëtare i ka dhënë “dërzhavës” 350 milionë euro.