Ish-futbollisti shqiptar dënohet për kurdisje të ndeshjeve

Ish-futbollisti shqiptar me nënshtetësi suedeze, Alban Jusufi, është dënuar me pezullim për pesë vjet nga futbolli në Suedi, pasi që është shpallur fajtor për kudisje të ndeshjeve.

Alban Jusufi bashkë me ish-mesfushorin nigerian Dickson Etuhu janë dënuar pasi që kishin tentuar ta kurdisin një ndeshje të ligës elitare të futbollit në Suedi. Lajmin e ka konfirmuar Federata e Futbollit e Suedisë, transmeton Gazeta Express.

Jusufi dhe Etuhu ia kishin ofruar Kyriakos Stamatopoulosit një ryshfet prej 182 mijë eurosh për të luajtur keq në një ndeshje mes AIK dhe IFK Gothenburgut.

Megjithatë, ajo ndeshje e 18 majit të vitit 2017 ishte shtyrë pasi që Stamatopoulous, portieri i AIK, e kishte raportuar tentimin e Jusufit dhe Etuhut.

Në dokumentet e bëra publike zbulohet se Etuhu dhe Jusufi ishin takuar me Stamatopoulos në një restorant në Stokholm më 16 maj të vitit 2017, ku kishte ndodhur edhe rasti i ryshfetit.

Ish-mesfushori nigerian, Etuhu, ishte lojtar i skuadrës së AIK-ut në atë kohë, ndërsa Jusufi, ishte pjesë e skuadrën IFK Rossjoholm, klub i nivelit të pestë të futbollit në Suedi.

Etuhu u transferua në Rossjoholm nga AIK në gusht të vitit 2017, vetëm pak kohë pasi ishte tentuar kurdisja e ndeshjeve.

Dy futbollistët u dënuan me gjoba për ryshfet në nëntor të vitit të kaluar, kur Gjykata e Apelit e kundërshtoi vendimin e Gjykatës lokale për vendimin e vitit 2018 për t’i liruar nga akuzat dy futbollistët.

Dënimi prej pesë vjetësh pezullim do të jetë i vlefshëm nga 14 prilli i vitit 2020 deri më 13 prill të vitit 2025.