Ish-futbollisti i Anglisë piu 10 birra dhe i hyri me veturë një marketi

Ish-futbollisti i Anglisë, Danny Graham, ka dominuar titujt kryesorë të tabloideve angleze, pasi u shfaq një video që tregonte atë duke përplasur veturën e tij në një supermarket.

Është konfirmuar se ish-futbollisti i Sunderlandit drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit, këtë e ka pranuar edhe vetë në polici, transmeton lajmi.net.

Graham ka “parkuar” Land Roverin e tij në një supermarket dhe video nga kamera e vëzhgimit është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale.

Fatmirësisht nuk ka të lënduar, madje as shoferi. Nuk është hera e parë që ai drejtohet në gjendje të dehur, patenta e shoferit i është hequr disa herë.

Pas mbërritjes së policisë, Graham mezi ishte në dijeni të asaj që kishte ndodhur, mediat angleze shkruajnë se ai ka parë me habi skenën që kishte shkaktuar nga drejtimi i tij i papërgjegjshëm dhe nuk mund ta besonte veten se kishte hipur në timon (përsëri) i dehur.

Ai pranoi se kishte pirë rreth 10 gota birrë atë natë.

Graham i vari këpucët e tij në fillim të 2021 në Sunderland, pasi kishte luajtur më parë për Middlesbrough, Leeds, Blackpool, Carlisle United, Watford, Swansea, Hull City, Wolverhampton dhe Blackburn.