Ish diplomati- për Ramën e Abazoviçin: Në vend që t’i kërkojnë Serbisë njohjen e Kosovës, i kërkojnë Kosovës të hyjë si provincë serbe në “Ballkanin e hapur”

Ish diplomati shqiptar për Ramën e Abazoviçin: Në vend që t’i kërkojnë Serbisë njohjen e Kosovës, i kërkojnë Kosovës të hyjë si provincë serbe në “Ballkanin e hapur”

Ish diplomati shqiptar Shaban Murati, ka komentuar faktin se në Ballkan tashmë janë dy Kryeministra shqiptarë që do t`i bashkohen Vuiqit në projektin “Ballkani i Hapur”.

Ai këtë e ndërlidhi me kryeministrat shqiptarë të së kaluarës nga të cilët cështja kombëtare nuk fitoi asgjë.

“Sepse nëse sot dy kryeministra shqiptarë, të cilët në vend që t’i kërkojnë Serbisë të njohë Kosovën si shtet, dalin dhe i kërkojnë Kosovës që të hyjë si provincë serbe në “Ballkanin e hapur”, kuptohet se ku e çojnë ujin”, ka shkruar Murati.

Postimi i plotë:

Të dehesh me ujë

Shqiptari Sinan Hasani ka qenë president i Jugosllavisë. Shqiptari Petar Karagjorgjeviç ka qenë mbret i Serbisë. Shqiptari Françesko Krispi ka qenë kryeministër i Italisë. 36 shqiptarë kanë qenë kryeministra të Perandorisë Osmane. Shqiptari Jorgos Zografos ka qenë ministër i jashtëm i Greqisë.

Çfarë fitoi çeshtja kombëtare?

Nuk ka asnjë domethënie origjina etnike e një drejtuesi qeverie, por ka domethënie se kujt i shërben ai. Sepse nëse sot dy kryeministra shqiptarë, te cilet në vend që t’i kërkojnë Serbisë të njohë Kosovën si shtet, dalin dhe i kërkojnë Kosovës që të hyjë si provincë serbe në “Ballkanin e hapur”, kuptohet se ku e çojnë ujin. Këtu ka marrë fund origjina shqiptare e tyre dhe ngrefosja etnike. Sepse në “Ballkanin e hapur” serb të tre kryeministrat shqiptarë do t’i drejtojë presidenti serb.

Ndaj të mburravecësh me origjinën etnike të tre kryeministrave shqiptarë në Ballkan don të thotë të dehesh me ujë.