Ish-ambasadorja zbulon të pathëna të frikshme për Stanishiqin dhe Simatoviqin, dy ish-bashkëpunëtorët e “Kasapit të Ballkanit”

Ish-diplomatja, deputetja e gazetarja, Alma Lama, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Jovica Stanishiq, ish-drejtor i shërbimit shtetëror të sigurisë (DB) dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviq, i njohur edhe me nofkën “Frenki”, ishin anëtarë kyçë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, i cili ishte përpjekur që të krijonte një Serbi më të madhe nga gërmadhat e Jugosllavisë.

Alma ka shkruar në profilin e saj në Facebook se përderisa Stanishiqi ishte në përgjithësi përgjegjës për policinë sekrete, DB (Drzavna Bezbednost), Simatoviqi i udhëhiqte njësitë speciale operuese të saj.

Kujtojmë se Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë do të shpallë sot vendimin për dy ish-shefa të shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, të akuzuar për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.

Ja shkrimi i saj:

Jovica Stanishiq, ish-drejtor i shërbimit shtetëror të sigurisë (DB) dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviq, i njohur edhe me nofkën “Frenki”, u akuzuan për herë të parë më 2003 nën dyshimin për armatosjen dhe drejtimin e grupeve paramilitare që ishin përgjegjëse për krime lufte në luftërat në Bosnjë e Kroaci. Këta dy persona dikur ishin figurat më të fuqishme në Serbi. Raportohet se Stanishiqi gjithashtu ishte informator i CIA-s dhe agjencia amerikane kishte bërë një hap të pazakontë, duke dorëzuar një dokument të klasifikuar në tribunal për ta përshkruar ndihmën që i ka dhënë ky person.

Dy serbët ishin liruar nga akuzat në vitin 2013, pasi shumica e gjykatësve të rastit kishin vlerësuar se nuk ka dëshmi për të vazhduar hetime kriminale. Megjithatë, në vitin 2015, Dhoma e Apelit vendosi që gjykatësit e kanë keqinterpretuar pragun ligjor për ta dëshmuar bashkëfajësinë.

Stanishiqi dhe Simatoviqi ishin anëtarë kyçë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, i cili ishte përpjekur që të krijonte një Serbi më të madhe nga gërmadhat e Jugosllavisë. Përderisa Stanishiqi ishte në përgjithësi përgjegjës për policinë sekrete, DB (Drzavna Bezbednost), Simatoviqi i udhëhiqte njësitë speciale operuese të saj.

Ndërkohë Stanishiqi duket se luante lojë të dyfishtë. Zyrtarët e CIA-s i kishin thënë gazetës “Los Angeles Times” në vitin 2009 se ai u kishte dhënë hollësi të punëve të brendshme të regjimit, vendndodhjen e pengjeve të NATO-s dhe vendet e varrezave masive.