Ish-ambasadori: Ja kush po përpiqet t’ia ndalojë Albin Kurtit lëvizjen brenda territorit të Kosovës

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka, ka folur për vizitën e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, ku u pengua nga disa qytetarë.

Lauka ka thënë se kasta e vjetër politike në Prishtinë, po përpiqet t’ia ndalojë Kurtit lëvizjen brenda territorit të Kosovës, përcjell Bota sot.

Ish-ambasadori ka thënë se me përjashtimin e Kurtit nga zgjedhjet e 14 shkurtit, kasta e vjetër po vepron siç kanë vepruar me kundërshtarët e tyre politikë Putini në Rusi dhe Llukashenko në Bjellorusi. Ai madje ka thënë se kasta e Prishtinës është në të njëjtën llogore me atë të Beogradit, kundër Albin Kurtit.

Ai e ka quajtur “mentalitet mesjetar”, mentalitetin në bazë të të cilit vizitat në territorin e Kosovës quhen provokime.

Image

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka,

Foto galeri

 

Postimi i plotë i Laukës në Facebook:

Kastat e Prishtinës dhe të Beogradit, në të njëjtën llogore – kundër Albin Kurtit

Pasi e përjashtuan nga zgjedhjet e 14 shkurtit, në emër të “ligjit” dhe të “procedurave demokratike”, ashtu siç kanë vepruar me kundërshtarët e tyre politikë Putini në Rusi dhe Llukashenko në Bjellorusi, kasta e vjetër e Prishtinës po përpiqet që Albin Kurtit t`ia ndalojë edhe lëvizjen e lirë brenda territorit të Kosovës. Vizitën e tij në Skënderaj, kjo kastë e vlerësoi si provokim. Provokim e pati cilësuar edhe vizitën e Kurtit dhe të Osmanit në Veri të Kosovës. Të njëjtin term kundër Kurtit, pra “provokim”, përdori edhe kasta pushtetore në Beograd. Në mbështetje të kastave të Prishtinës dhe të Beogradit janë vënë argatët e tyre medialë.

Mentaliteti, sipas të cilit, vizitat e udhëheqësit të opozitës në territorin e shtetit të vet dhe takimet me mbështetësit e tij, etiketohen si “provokime”, është mentalitet mesjetar, që si objektiv ka, jo Kosovën e lirë, demokratike dhe evropiane, por atë të ndarë në feude, si feudi i Veriut, feudi i Drenicës, ai i Llapit, Dukagjinit, Malishevës, etj., në varësi se zotërime të cilit feudal konsiderohen ato.

Le të urojmë dhe të shpresojmë që 14 shkurti t`i japë fund këtij mentaliteti të mbrapshtë, antishtetëror dhe antikombëtar.